Laçi ka mposhtur Skënderbeun në Korçë me rezultatin 4-1 dhe duket se ai start i keq i sezonit është tashmë një e shkuar e largët. Kjo sepse kurbinasit kanë arritur suksesin e dytë radhazi dhe që e afron më shumë me zonën e sipërme të renditjes, duke parakaluar korçarët, që e shohin veten në vendin e tetë në kampionat.

Skënderbeu e nis më mirë dhe shënon shumë shpejt. Gripshi realizon një supergol në minutën e 5-të, kur me të majtën siluron Stazhillën për epërsinë e të zotëve të shtëpisë. Kurbinasit kërkojnë të reagojnë shpejt dhe e bëjnë mirë, teksa pas disa momenteve të mira me Tekon Nuabeuezen, është Lushkja që në minutën e 25-të vë barazpeshën. Goli bën që bardhezinjtë të shtojnë sulmet dhe Koliçi do të bëjë heroin në të 29-ën përballë Naubezes, por nuk ka se çfarë të bëjë më asgjë gardiani bardhekuq kur nigeriani do të shfaqet i vetëm para tij në të 48-ën dhe shënon golin e epërsisë.

Tashmë në fushë ka vetëm një ekip. Laçi luan mirë dhe dominon ndaj korçarëve të “arnuar” në mbrojtje nga trajneri Daja. Në të 63-ën një aksion i bukur i kurbinasve çon në gol Xhixhën, që shërbehet mjaft mirë nga Nuabueze, duke futur në kasafortë 3 pikët. Por Nuabueze është i papërmbajtshëm dhe 7 minuta nga fundi do të shënojë dhe golin e katër për Laçin, që mposht kështu me një rezultat të thellë Skënderbeun në Korçë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb