Laçi merr fitoren e parë në këtë kampionat, ndërsa ka thyer në fushën asnjanëse të Krujës ekipin e Bylisit, falë një performance të shkëlqyer të Agim Metos, i cili me asistin e dhënë për Xhejmsin dhe me dy golëshin personal, e çon skuadrën e Cungut në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Bylisi vijon të mbetet me vetëm një pikë në renditje.

Ndeshja nis e shpejtë dhe e bukur, ndërsa që në fillim do të kemi emocionet e para. Meto lëviz bukur në zonë dhe pason në qendër për Xhejmsin, me nigerianin që nuk fal dhe kalon Laçin në avantazh në minutën e 9-të. As 2 minuta nuk zgjat avantazhi i vendësve, pasi ballshiotët përgjigjen me Mbellan, i cili shpërthen në të djathtë dhe në shtyllën e parë mposht Vujadinoviçin.

Në pjesën e dytë, Laçi është më kërkues, por goli i epërsisë do të vijë në minutën e 80-të, pas një aksioni të shkëlqyer të kurbinasve, që finalizohet saktë nga Meto, që me kokë shënon pas krosimit të Gocajt.

Pas 3 minutash është sërish Agim Meto që mbyll takimin me golin e tij të dytë personal, dhe qetëson Armando Cungun në stol, i cili më në fund shijon suksesin e parë në këtë sezon, ndonëse bardhezinjtë kanë dhuruar ndeshje të pëlqyeshme në 3 javët e para të sezonit. Në ndeshjen e fundit të mbrëmjes, të luajtur në Vlorë, Flamurtari ka thyer Vllazninë me dy gola në pjesën e parë, për të marrë tre pikët e para në kampionat.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: