Laçi tregon edhe njëherë forcën e tij në fushën e vet. Kurbinasit mposhtën 2-1 Dinamon dhe përforcojnë pozitat në vendin e dytë, duke u shkëputur me 5 pikë me Kukësin e vendit të tretë. Ndërsa për Dinamon rënia nga Superiorja tashmë nuk vihet në dyshim.

Laçi e nisi shumë mirë ndeshjen, teksa ende pa mbaruar minuta e parë zhbllokoi ndeshjen. Guindo mjaft bukur godet dhe topi përfundon në fundin e rrjetës. Sulmuesi i kurbinasve ngjitet në kuotën e 13 golave në superiore, dy më pak se Taulant Seferi i Tiranës.

Kurbinasit luajnë më të qetë dhe i afrohen edhe golit të dytë, po me kalimin e minutave, Dinamo barazpeshon lojën dhe kishte shanset e veta të shënonte. Fraksioni i parë përfundon 1-0 për vendasit. Për të ardhur në minutën e 60-të të pjesës së dytë, kur miqtë nga kryeqyteti barazojnë 1-1. Është 19-vjeçari debutues Devid Fejzulla që ka shënuar për Dinamon.

Por në 84’ ka penallti për kurbinasit. Rexhinaldo ka ngitur takat dhe duke goditur Julian Shehun. Për arbitrin kryesor Florjan Lata ka 11-metërsh. Pas 3 minutash polemikash dhe për shkak se topin e merrte era në pikën e bardhë, ekzekuton Darubica dhe 2-1 për Laçin.

Në minutat e mbetura vendasit administrojnë avantazhin dhe blindojnë vendin e dytë në Superiore, ndërsa Dinamo tashmë është nisur drejt Kategorisë së Parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb