Tirana bie pas dy fitoreve radhazi, përballë Laçi pësuan humbjen e dytë sezonale, në një sfidë pa shumë emocione e vendosur nga një episod, nga një penallti në fund e konvertuar në gol nga Regi Lushkja. Ky sukses i bardhezinjve ndez akoma më shumë garën për titull, pasi nga Tirana e vendit të parë tek Laçi i vendit të katërt diferenca është katër pikë.

Shpëtim Duro, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga gazetarja Enxhi Biba, analizoi këtë sfidë, duke vlerësuar ekipin kurbinas, jo vetëm për këtë fitore, por për të gjithë rrugëtimin me Mirel Josën në stol, sigurisht që kjo fitore e bën edhe më të bukur kampionatin.

Duro u ndal edhe në sfidat e tjera, tek derbi i kryeqytetit, Partizani-Dinamo duke theksuar se objektivat e të kuqve do të vendosen në dy sfidat e fundit të këtij viti. Në lidhje me Dinamon, Duro shprehet i bindur se ekipi nuk i përgjigjet trajnerit, jo ashtu siç dëshiron ai, pasi aty sipas Duros janë mbledhur shumë “agallarë”.

Në analizën e tij për News24, Duro vlerëson rikthimin e Vllaznisë, një ekip me shumë cilësi ndërsa shpreh habi për deklaratat e trajnerit të Kukësit, Diego Longo, i cili nënvlerëson ekipin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb