Lazio ka mposhtur minimalisht Udinezen në Olimpiko me rezultatin 1-0 duke siguruar një trepikësh me mjaft vlerë në luftën për të siguruar një vend në kupat e Europës sezonin tjetër.

Lacialët iu falën këmbëve të Imobile që realizoi në minutën e 72-të me një 11-të metërsh. Një siguri e madhe në prapavijën e Lacios ishte edhe portieri shqiptar Strakosha i cili e nisi takimin për të disatën herë si titullar.

Pas kësaj fitoreje, kryeqytetasit renditen në vendin e katërt me 50-të pikë, duke kaluar Interin në renditje i cili në orën 20:45 do të luaj takimin e javës në Seria A, atë kundër Romës.

Peskara e Memushajt pas një fitoreje sporadike me shifra të thella 5-0 kundër Xhenoas është kthyer sërish tek humbjet. Delfinët e Zeman janë thyer në fushën e Kievos me rezultatin 2-0. Pas kësaj humbje ka fare pak gjasa që sezonin tjetër për Peskarën të ketë një vend në Seria A.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb