Nga: Fatmira Nikolli*

Natyrë mort me kulturë”, titullohet libri më i ri i Virgjil Muçit. Botimi (Uet Press) sjell shënime nga fusha të ndryshme, që e kanë shqetësuar Muçin. E mes atyre, ai ka një pjesë të titulluar “Një lady mes perëndimit dhe lindjes”, kushtuar Lady Montagut. Që prej nisjes, sqaron se emrin e Mary Wortley Montagut e hasim te Faik Konica dhe më konkretisht te vepra e tij “Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Mandej, ai jep informacion për të, duke shënuar se Mary Wortley Montagu u lind në Londër më 26 maj 1689, me mbiemrin e vajzërisë Pierrepont, vajzë e kontit të 5-të të Kingston- përmbi-Hull. Më 1712 ajo do të martohej me aristokratin Edward Wortley Montagun, fillimisht anëtar i Dhomës së Lordëve, më pas, thënë në gjuhën e sotme, ministër i thesarit, ndërsa në vitin 1716, ai u emërua ambasador i Madhërisë së Saj, pranë oborrit të Sulltanit Ahmet III në Stamboll. “Edhe pse u bë e përmendur me librin e epistolareve, Lady Mary kishte bërë emër në sallonet e aristokracisë londineze të kohës, falë talentit si poeteshë, çka na e dëshmon edhe korrespondenca me poetin e njohur Aleksandër Pope, me të cilin ka gjasë të ketë pasur edhe ndonjë flirt, ndonëse platonik. Por është përmbledhja e letrave e titulluar thjesht Letters (Letra) me nëntitullin “Të shkruara përgjatë udhëtimeve në Europë, Azi dhe Afrikë” që do t’i japin zonjës jo vetëm emrin e shkrimtares, por edhe famën e udhëtares së shquar dhe atë të një vëzhgueseje të dorës së parë, të dokeve e zakoneve të banorëve të viseve lindore”,-shkruan Muçi.

Libri i Lady Montagut ndahet në dy blloqe: I pari, më i madhi, përmban 60 letra që ajo ka shkruar dhe u dërguar miqve në Londër, përgjatë udhëtimeve për të mbërritur të shoqin në Stambol1. Ndërsa i dyti, më i vogël, 30 letra, lidhet me largimin e saj të dytë nga Anglia dhe qëndrimin në Itali. “Në të gjitha letrat, ajo shquhet si vëzhguese e hollë e viseve ku shkel dhe e banorëve të tyre. Vëzhgimet e saj nuk janë thjesht e vetëm pikasje të kryera nga syri i një gruaje të rëndomtë, por edhe konstatime të guximshme (për të mos thënë me spec) lidhur me politikën e kohës, kur vëren dallimin e madh mes qyteteve të lirë gjermanë dhe atyre që lëngojnë nën thundrën e absolutizmit të princave”.
Muçi ka vënë re se Lady Montagu ishte një adhuruese e flaktë e Orientit në përgjithësi dhe e botës Osmane në veçanti. “Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për ekzotikën e kësaj bote, po për gjithçka që ka të bëjë me mënyrën e tyre të të jetuarit në lindje. Fjalët e saj: Do të ma kishte më fort ënda të isha një efendi i pasur me gjithë injorancën e tij, sesa Sir Isaac Newtoni me gjithë dijet e veta, tanimë janë bërë proverbiale dhe ma do mendja, nuk lypin koment për të përshkruar ndjenjat e zonjës së sërës së lartë, lidhur me Orientin osman”. Mbasi lajmëron se libri i Montagut nuk është përkthyer ende në shqip ai shënon: “Bash për këtë menduam të sillnim një fragment të shqipëruar, sa për të ngacmuar fantazinë dhe kureshtjen e këndonjësve e, kushedi, ndoshta edhe të ndonjë botuesi”. Më poshtë po botojmë një pjesë të një prej letrave që ajo i shkruan një abati.
Letra XXX
Për Abatin…
Adrianopojë,
1 prill 1717
(…) Po nga të gjitha religjionet që kam hasur, ai i Arnautëve më është dukur më i veçanti. Ata janë vendali të Arnautlisë, Maqedonia e lashtë, por ndonëse e kanë humbur emrin e të qenit maqedonë, sot gjithë ditën kanë ruajtur të paprekur burrërinë dhe trimërinë, si dhe namin se janë luftëtarët më të mirë në krejt Perandorinë turke, të vetmit që i bëjnë zap jeniçerët. Arnautët janë luftëtarë këmbësorë; kemi një truprojë të përbërë me ta, e cila ndërrohet në çdo qytet pak a shumë të madh që kalojmë. Të gjitha harxhet për tu veshur, mbathur e armatosur i bëjnë nga qesja e tyre; vishen me tesha të trasha borë të bardha e përherë të pastra, mbajnë pushkë mjaft të gjata, të cilat i hedhin mbi sup dhe vrapojnë me to, a thua se nuk e ndjejnë fare peshën e tyre, ndërkohë që prijësi i tyre këndon një këngë disi të vrazhdë po jo të pakëndshme për veshin e gjithë të tjerët i mbajnë ison. Këta njerëz, duke jetuar mes të krishterëve dhe muhamedanëve, si dhe duke mos qenë natyra kontroverse, shpallin me të madhe se nuk janë të zotë të gjykojnë se cili nga religjionet është më i miri; ndërkaq, për të qenë të sigurtë që e vërteta mos tu dalë krejt duarsh, ata i ndjekin me shumë urti të dy religjionet në fjalë. Të premteve shkojnë në xhami, ndërsa të dielave shkojnë në kishë dhe, për ta përligjur, thonë se ditën e gjykimit kanë për të gëzuar mbrojtjen e profetit te vërtetë; po se cili është ky, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në të gjallë dhe në këtë botë. Ma merr mendja që në mbarë sojin njerëzor nuk ka ndonjë racë tjetër që të ketë një opinion kaq modest për aftësitë e veta.
(…)

(ma.ar/Gazeta SHqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: