Mungesa e një ure për kalimin e automjeteve i detyron banorët e lagjes “Meta” në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit të transportojnë në krah çdo material që ju nevojitet për shtëpitë e tyre.

Vebi Meta, është detyruar që thesin me misër ta mbajë në krah nga rruga e Arbrit e deri tek shtëpia. Meta thotë se sidomos gjatë stinës së dimrit, është e pamundur që automjetet të kalojnë zallin e të shkojnë tek shtëpia e tij.

Ai shton se kur është ndërtuar rruga e Arbrit ju është premtuar ndërtimi i një ure tip bel në mënyrë që të kalojnë automjetet nga njëra anë e zallit në tjetrën, por një gjë e tillë nuk u realizua, edhe pse kanë kaluar kaq vite. Vebi Meta shprehet se investimi në rrugën e Arbrit nuk është bërë i studiuar, pasi ka penalizuar shumë banorë.

Nga ana tjetër, Vebi Meta ju bën apel institucioneve që të zgjidhin problemin e tyre, pasi janë shumë familje që kanë mbetur të izoluar për mungesë të një ure.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb