* Mes të plagosurve, vëllai i deputetit
* Shkak për ngjarjen konflikti për Lagunën e Patokut
* Shoqërohen 34 persona nga të dyja familjet
*Avokati: Qëlloi për vetëmbrojtje
*Policia: Konflikti jashte komisariatit te Lacit

*I plagosuri Gjergj Cali: Deputeti Prenga qëlloi me pistoletë drejt nesh

LAÇ- Shtate persona kanë mbetur të plagosur gjatë natës së kaluar në qytetin e Laçit, pas një përplasje fillimisht me armë të ftohta e më pas me armë zjarri. Sipas të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur para Komisariatit të Laçit, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një konflikt për për lagunën e Patokut mes familjeve Cali dhe familjes së deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga.
Mes personave të plagosur është edhe vëllai i deputetit, i cili ndodhet u transportua në Qendrën Spitalore të Traumës në Tiranë bashkë me të plagosurit e tjerë. Dëshmitarët kanë pohuar se dy palët janë përplasur fillimisht me mjete të forta, shkopa bejsbolli e thika e më pas kanë qëlluar disa herë me armë zjarri. Burime zyrtare pohojnë se është arrestuar deputeti Armando Prenga, i cili akuzohet për “Plagosje të rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”. Mësohet se deputeti Armando Prenga ndodhet në Policinë e Tiranës.

TË  PLAGOSUR

1- Gazmir Jushi, 29 vjeç, plagosur me mjete prerëse;
2- Gjok Cali, 53 vjeç, plagosur me mjete të forta;
3- Eduard Prenga 37 vjeç, plagosur me mjete të forta;
4- Françesk Cali, 30 vjeç, palgosur me mjete të forta;
5- Gjergj Cali 55 vjeç, plagosur me mjete të forta;
6- Tom Cali 66 vjeç, plagosur me armë zjarri
7- Nikoll Cali 53 vjeç, plagosur me mjete të forta

MOTIVI
Sipas raportimeve nga gazetarët e News24 në terren, mësohet se familja Cali dhe familja Prenga janë në konflikt për një pronë në Lagunën e Patokut. Familja Cali akuzon familjen Prengën për marrjen e kësaj prone. Mësohet se ka qenë deputeti Armando Prenga që mbrëmjen e djeshme ka shkuar në lokalin e vëllezërve Tom dhe Nikoll Cali në Laç dhe ka goditur me grusht një prej tyre. Kaq ka mjaftuar që të ndizen gjakrat dhe më pas në sherr janë përfshirë një numër i madh personash nga të dyja familjet.
Policia e Kurbinit por edhe ajo e Lezhës janë duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Në Laç janë duke patrulluar edhe forcat RENEA. Deri tani policia ka shoqëruar 34 persona nga të dyja familje që kanë dijeni për ngjarjen apo të dyshuar.

POLICIA SQARON ARRESTIMIN E PRENGËS: PLAGOSI ME QYTËN E ARMËS GJOK CALIN
Arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga e konfirmoi në një deklaratë për median kreu i policisë se Lacit, Nik Nikolla. Ai sqaroi se Prenga është arrestuar por deri tani është provuar se ka qëlluar e plagosur me qytën e pistoletës shtetasin Gjok Cali.
Pyetur, nëse Prenga ka plagosur njeri duke përdorur armën e zjarrit, Nikolla sqaroi se për këtë do të flasë ekspertiza, e cila është duke u zhvilluar.
“Vendi i ngjarjes ku ka ndodhur konflikti ndodhet jashtë ambienteve të komisariatit të policisë Kurbin. Vendi i ngjarjes është administruar me prova filmike e fotografi”, ­sqaroi ai, për të hedhur poshte deklaratat e opozitës për përplasje brenda ambienteve te policise.

HETIMET
Ndërkohë të dhëna kontradiktore vijnë nga hetimet. Kjo pasi familja Cali deklaron se deputeti Prenga ka qëlluar me armë brenda Komisariatit të Kurbinit. Por policia ende nuk e ka vërtetuar këtë dëshmi. Një prej të plagosurve, Françesk Cali dhe një tjetër person janë shoqëruar në polici. Vetë deputeti ka akuzuar Tom Calin. Ndërkohë sipas ekspertizës ka rezultuar se në duart e deputetit Armando Prenga janë gjetur gjurmë baruti. Dyshohet se Prenga ka qëlluar me pistoletë, pasi edhe në vendngjarje janë gjetur gëzhoja.

MJEKU: TË PLAGOSURIT JASHTË RREZIKUT
Në Qendrën Spitalore të Traumës ka prani të madhe të forcave speciale të policisë. 6 furgona të RENEA-s kanë rrethuar spitalin. Madje bluzat e bardha, mjekë dhe infermierë janë shprehur se kaq shumë forca policie ka pasur vetëm në vitin 1997. Mesa duket prania e madhe e policisë është për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes dy familjeve.

Mjeku i Spitalit të Traumës, Agron Dogjani ka thënë për News24 se rreth orës 01:00 pas mesnate kanë mbërritur në urgjencë disa persona të plagosur, nga të cilët 5 pjestarë të së njëjtës familje. Sipas Dogjanit, 3 prej tyre kishin plagë të lehta, ndërsa dy ishin plagosur me armë zjarri në këmbë. Ndërsa personi i plagosur nga familja Prenga, ka një plagë të shkaktuar nga thika dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 1 u paraqitën disa pacientë, 5 pjesëtare të një familjeje. Familja Cali, shumica të goditur me mjete të forta. Gjok Cali kishte plagë në kokë dhe u largua. Francesk Cali kishte gjithashtu plagë të vogla dhe u largua. Edhe Gjergj Cali kishte afër veshit plagë dhe u largua. Dy pacientë të tjerë të familjes Cali kishin plagë me armë zjarri në këmbë, te kockat e kërcirit, janë trajtuar nga ortopedët. Janë jashtë rrezikut për jetën. Tom dhe Nikoll Cali, janë më rëndë. Ndërsa Eduard Prenga ka një plagë me thikë, e cila ka dëmtuar pulmonin e djathtë, por nuk paraqet rrezik për jetën ndaj edhe është në pavijon. Pacienti Gazmir Jushi është gjithashtu i plagosur dhe dyshojmë se ka dëmtim të mëlçisë, por nuk ka rrezik për jetën”, tha mjeku i Spitalit të Traumës.

ARMANDO PRENGA NË PROKURORI: GJON CALI MË ZURI PRITË, MË KËRCËNOI ME ARMË, UNË QËLLOVA NË AJËR
Zbardhet dëshmia e deputetit socialist Armando Prenga në prokurori lidhur me ngjarjen në Laç ku për shkaqe pronësie mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dhe vëllai i deputetit Prenga. Para prokurorëve në prani të avokatit Kosta Beluri, Prenga ka rrëfyer se ka qenë Gjon Cali ai që i ka zënë pritë dhe e ka kërcënuar dhe se ai menjëherë ka reaguar duke qëlluar në ajër.

“Po udhëtoja nga Patoku në Laç kur Gjon cali më zuri pritë. Gjon cali më kërcënoi me armë kurse unë qëllova në ajër”, janë fjalët e Prengës.

Ndërkohë në një deklaratë të një ore më parë, shefi i komisariatit të Lacit u shpreh se Prenga ka qëlluar me qytën e armës Gjok Calin ndërsa nuk është vërtetuar ende nëse ka qëlluar më armë zjarri, pasi këtë duhet ta vërtetojë ekspertiza.

Konflikti në Lac pati zanafillë Lagunën e Patokut, ku familja Cala pretendon pronësinë, ndërkohë që në administrim e ka familja Prenga.

AVOKATI: PRENGA ARMËN ME LEJE, QËLLOI NË AJËR PËR VETËMBROJTJE
Avokati i deputetit, Armando Prenga ka deklaruar se është turp i madh që ndaj klientit të tij është ngritur akuza për “armëmbajtje pa leje”. Sipas tij, shteti mund ta verifikonte lehtësisht që armën e kishte me leje.

“Prenga akuzohet për armëmbajtje pa leje, që është çudia më e madhe dhe turp më i madh. Nuk mund ta akuzosh një deputet për armëmbajtje pa leje, kur shteti lehtësisht mund ta verifikonte që armën e kishte me leje”, ka thënë avokati Baftjar Rusi.

Gjithashtu ai ka mohuar që Prenga të ketë qëlluar personat e plagosur, duke deklaruar se ai ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje.

“Nuk është përdorur arma, është qëlluar në ajër për vetëmbrojtje të integritetit të jetës së tij. Arma është dorëzuar dhe e pranuar këtë që në momentin e parë që është pyetur se arma është përdorur në këto kushte. Arrestimi i paligjshëm, asnjë dyshim për armëmbajtje pa leje, unë disponoj lejen origjinale që ka”, ka theksuar ai.

Më herët avokati Rusi ka thënë për News24 se nuk e kishte takuar ende me klientin e tij, duke theksuar se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut.
“Policia nuk më lejoi të takoj klientin. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk kam dijeni për ngjarjen e ndodhur. Nuk më dhanë argument pse më ndaluan të takoj klientin. Më thanë ‘Prisni se do t’iu thërrasim më vonë’”, ka deklaruar avokati Baftjar Rusi, pak orë pas ndalimit të deputetit.

I PLAGOSURI GJERGJ CALI: DEPUTETI PRENGA QËLLOI ME PISTOLETË DREJT NESH
Një nga të plagosurit e konfliktit në Lac, 55 vjecari Gjergj Cali ka akuzuar direkt deputetin socialist Armando Prenga, për sulmin me armë në drejtim të familjarëve Cali.
Në një intervistë për “ABC News”, Cali ka thënë se Prenga ka qëlluar me armë pistoletë në drejtim të tyre. Ai tregon se gjithçka nisi për konfliktin e pronësisë në Patok, për të cilin familjet janë në proces gjyqësor. “Na kanë ardhur një furgon policie në Patok kur ne ishim në punën tonë. U thamë mos na coni në gjakderdhje, jemi në punën tonë. Na kanë nis një furgon policie, por ne i kemi thënë ju lutemi mos na coni në Lac me na rreziku, do shkojmë në Tiranë, të bëjmë aty kallëzimin. Jo na thanë, hajdeni në polici të Laçit”­ tregon ai. Sipas tij një ngjarje e tillë nuk ndodh as në Siri. “Na kanë plagosur, unë në vesh e në sy, djali i axhës në krahë. Ka qenë Prenga ai që ka qëlluar me pistoletë. Ndërkohë që edhe në spital na kanë kërcënuar me automatik. As në siri nuk ndodh kjo, na kanë ardh na kanë terrorizuar në spital. Edhe president të ishte do arrestohej, jo vetëm një deputet kriminel”­ tha ai.
DEKLARATA ZYRTARE E MINISTRISË SË BRENDSHME

Në datë 04.09.2015, në orën 23:40, Salla operative e Komisariatit të Policisë Kurbin, mori njoftim për një konflikt të ndodhur në një lokal në Patok. Menjëherë Policia e Kurbinit ka shkuar në vendngjarje për të kryer veprimet.

Në Komisariat është paraqitur shtetasi Gjok Cali, për të bërë kallëzim se është goditur nga shtetasi Armando Prenga (deputet i Kuvendit të Shqipërisë).

Në momentin që ky shtetas po jepte kallëzimin në ambientet e Policisë, janë afruar përpara ambienteve te Policisë, në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në Komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin.

Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur 7 persona:
• Gazmir Jushi, 39 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta, jashtë rrezikut për jetën.
• Eduart Prenga, 36 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta jashtë rrezikut për jetën.
• Tom Cali, 66 vjeç banues në Fushë Kuqe, i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën.
• Gjergj Cali, 55 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
• Gjok Cali, 51 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
• Nikoll Cali, 53 vjeç, banues në Fushë Kuqe dhe i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
• Françesk Cali, 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta.

Këtyre shtetasve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Spitalin e qytetit të Laçit dhe më pas janë dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës Tiranë. Aktualisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Polica e Kurbinit ka njoftuar menjëherë prokurorinë e rrethit dhe prokurorinë e Përgjithshme dhe është ngritur një grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e prokurorisë filloi menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, dhe vënien para përgjegjësisë së përgjegjësve.

Është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja fishekësh model 54, një teh biçaku.

Polica gjatë ushtrimit të kontrollit në banesa, ka gjetur në banesën e shtetasit Gazmir Jushi 1 armë zjarri automatik model 56, sekuestruar në cilësinë e provës materiale, si dhe gjatë kontrolleve të tjera të banesave janë sekuestruar 6 armë gjahu dhe 1 automjet.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale rezulton që palët janë konfliktuar për motive pronësie. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes janë shoqëruar në ambientet e Policisë 36 shtetas nga të dy palët në konflikt.

Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas të përfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga, i cili nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje dhe  u arrestua në flagrancë me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Përgjithshme për veprime të mëtejshme dhe hetimin e plotë të ngjarjes dhe gjithë personave të përfshirë në të.

DETAJET/ ARMANDO PRENGA SHKATËRROI LOKALIN E CALIT PARA NGJARJES

Pas konflikteve që u bënë publike këtë të shtunë mes deputetit të PS-së Armando Prenga dhe anëtarëve të familjes Cali në Patok të Laçit, të tjera incidente janë shënuar mes tyre pak ditë më parë. Paraditen e djeshme, vëllai i deputetit Prenga është konfliktuar me fjalë me pjesëtarë të familjes Cali. Ndërkohë që mbrëmë në darkë vonë, deputeti Armando Prenga ka shkuar vetëm te lokali i familjes Cali në Patok. Lokali ka qenë i mbyllur dhe jashtë tij ka qenë vetëm roja. Prenga ka nxjerrë pistoletën ka thyer xhamin me qytën e armës ka hyrë brenda dhe ka shkatërruar edhe disa sende brenda lokalit. Roja është larguar dhe ka njoftuar njërin nga familjarët Cali. Më pas, familjari ka shkruar me makinë për të komisariati i Laçit për të kallëzuar dëmtimin e lokalit nga Armando Prenga. Në kohën që kanë hyrë për kallëzimin roja dhe pronari Cali, para komisariatit janë grumbulluar palët. Nga dëshmitë dhe hetimet rezulton se të plagosurit kundërshtarë të Prengës, janë dëmtuar e plagosur ose me armë, ose të goditur me qytën e armës, ndërkohë që të afërmit të Prengës janë dëmtuar vetëm nga goditje me thikë dhe sende të forta.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: