KURBIN– “Na është hequr liria padrejtësisht sepse denoncuam se ngjarja po manipulohej dhe po shkatërroheshin e zhdukeshin provat për të mbuluar krimin e shtetit ndërsa ne ishim të shtruar në spitalin ushtarak.”. Kështu ka deklaruar familja Cali, e cila shpreh revoltë për vendimin e djeshëm të Gjykatë së Kurbinit, e cila caktoi masën “Arrest me burg” për Gjergj dhe Nikollë Calit sa i takon konfliktit të disa muajve më parë me deputetin Armando Prenga.

Në një prononcim për News24, Calët pohuan se gjatë procesit hetimor po shkatërroheshin provat, në një kohë që sipas ata ishin në spital.

“Vetëm pas denoncimit tonë publik shteti e njoftoi pjesërisht ngjarjen, e mbuloi faktin se me armë zjarri ishin plagosur rendë dy persona dhe se kishin derdhur lumenj gjaku pikërisht në hollin e komisariatit Kurbin. Policia dha versionin që e urdhëruan të japë për të shkarkuar nga përgjegjësia të mbrojturin e politikës.”, shtuan familjarët. Ndër të tjera ata shtuan se “Këtij versioni i besoi qorrazi edhe Gjykata e Lartë duke caktuar masë arresti me burg për personin që sipas vendimit te saj ishte arrestuar pas mesnate në komisariat ndërkohë de fakto në atë kohë luftonte me jetën në spitalin Ushtarak pasi kishte humbur shumë gjak në komisariat, në spitalin e Laçit dhe rrugës për në Tiranë. Këtij vendimi i qëndroi edhe gjykata e Kurbinit. Por ne do ta vazhdojmë betejën për të fituar lirinë tonë, liria është e shtrenjtë. Gjykata dje ishte peng i një vendimi të padrejte të gjykatës së lartë. Gjykata dje nuk ishte e pavarur!”.

VENDIMI I GJYKATËS
Gjykata e Kurbinit vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për vëllezërit Cali, të cilët afro tre muaj më parë u përfshinë në konflikt të armatosur me deputetin Armando Prenga. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, u vendos lënia në qeli e Gjergj dhe Nikollë Calit, ndërsa Gjok Cali u la i lirë. Ndaj këtij të fundit u vendos masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Vëllezërit Gjergj e Nikollë Cali akuzohen për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Ata u përfshinë në konfliktin e armatosur në komisariatin e policisë së Kurbinit. Ngjarje kjo e ndodhur më 4 shtator për lagunën e Patokut, ku mbetën të plagosur shtatë persona. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka vendosur “Arrest shtëpie” për deputetin Armando Prenga, i cili akuzohet për plagosje të lehtë. Procesi gjyqësor në lidhje me konfliktin për lagunën e Patokut, ku u përplasën familjet Cali dhe Prenga, do të zhvillohet i ndarë.

Disa javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, materialet në ngarkim të Gjergj, Nikollë dhe Gjok Calit ia kaloi për kompetencë prokurorisë dhe gjykatës së Kurbinit. Në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet vetëm procesi ndaj deputetit Prenga.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: