Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Mamurrasit ku mësohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri drejt një banese.

Sipas burimeve për BalkanWeb dy djem janë konfliktuar me një tjetër person dhe më pas kanë gjuajtur në drejtim të banesës së tij me armë.

Sakaq, mësohet se dy autorët 18-vjeçarë Pulor Noka dhe Romario Gjoni janë shpallur në kërkim nga policia.

Konflikti mësohet se ka nisur për shkak se dy të rinjtë kanë kaluar me makinën e tyre pranë banesës së shtetasit Shtjefen Ndreka, i cili është konfliktuar verbalisht me ta duke u thënë të mos xhirojnë gomat e makinës, konflikt pas të cilit dy adoleshentët janë kthyer dhe kanë qëlluar me armë drejt banesës së tij.

Njoftim i policisë:

Kanosën me armë zjarri, një shtetas, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, Policia e Kurbinit identifikon dhe shpall në kërkim 2 autorët e dyshuar.

Rreth orës 19:00, në lagjen “Demokracia”, Mamurras, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasit P. N. dhe R. Gj., banues në Mamurras, kanë kanosur shtetasin Sh. N., duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së tij.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Kurbin kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat Operacionale të DVP Lezhë dhe FNSH Shkodër.

Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: