Sekuestrohet me urdhër të SPAK një vilë në Palasë dhe një në Hamallaj.

Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve që po kryen për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, ka vendosur nën sekuestro një vilë, e cila ndodhet në një kompleks rezidencial në Palasë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se SPAK deklaron se vila rezulton në pronësi faktike të ish-gruas së Ahmetajt, por e regjistruar në emër të një zonje tjetër.

Sipas SPAK është një pronë, e cila vërtetohet përmes dokumenteve të tjera se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe për sa kohë nuk i disponon të ardhurat për blerjen e kësaj prone duhet të sekuestrohet. Po ashtu sot është sekuestruar edhe një vilë në Hamallaj që i përket bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha.

SPAK po heton rolin e ish-zv.kryeministrit për inceneratorin e Fierit.

Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish- gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Ish-zv.kryeministri, aktualisht deputet i PS-së ka ankimuar pak ditë më parë vendimin për kontrollin e banesave të ish-gruas dhe partneres së tij. Ahmetaj kërkon nga Apeli i GJKKO shpalljen të pakushtetueshëm dhe të paligjshëm të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: