TIRANË- Një ditë pasi në një magazinë në Përmet u zbuluan rreth 12 ton drogë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shkarkuar 2 efektivë dhe ka përjashtuar nga radhët e policisë një tjetër.

Ndërkohë që ka nisur hetimi disiplinor ndaj tre drejtuesve të Policisë së Gjirokastrës dhe Përmetit. Po kështu hetim disiplinor edhe për drejtorin e Policisë së Gjirokastrës Drejtues i Parë Aranit Arapi.

Zyrtarisht zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentian Mullai tha se njëkohësisht me veprimet procedurale, në lidhje me rastin e konstatuar pas zbulimit të sasisë me bimë narkotike, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e Policisë në strukturat vendore të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër si dhe të Komisariatit të Policisë Përmet.

Sipas detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, duhej ushtruar kontroll në sera diellore, tunele të braktisura, ish-magazina të Rezervave shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.

Pavarësisht hartimit të planeve të veprimit si dhe ngritjes së grupeve të kontrollit, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Përmet dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër nuk janë ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet e përcaktuara, përfshirë edhe magazinat në fshatin Pagri.

Nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Përmet, si struktura përgjegjëse për kontrollin e territorit nuk është marrë asnjë informacion policor për kultivim, përpunim, grumbullim të lëndëve narkotike për vitin 2017 në territorin e Bashkisë Përmet.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Gjirokastër, për të cilët në bazë për zbatim të Ligjit për ‘Policinë e Shtetit’ si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat disiplinore:

• Inspektor Pëllumb Qamo, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Piskovë, Bashkia Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u përjashtua nga Policia e Shtetit.

• Komisar Kastriot Ndoj, me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

• Kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

• Komisar Asim Beqiraj, me detyrë Shef i Seksionit të Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

• Komisar Gentjan Shehu, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

• Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

• Drejtues Fatmir Hoxha, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë Publike, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

• Drejtues i Parë Aranit Arapi, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përmetit vijon hetimin për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe subjekteve të saj, të grumbullimit, mbajtjes dhe trafikimin e lëndës narkotike zbuluar dhe sekuestruar në datën 8 prill 2017 në Pagri të Përmetit.

SEKUESTRIMI DHE ARRESTIMET
Në datë 07.04.2017, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas informacionit të administruar se në një ish-depo të Rezervave të Shtetit mbi fshatin Pagri të rrethit Përmet ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, bashkërendoi punën me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Shtetit për verifikimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në zbatim të planit të përbashkët operacional të hartuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA në datën 08.04.2017 u realizua me sukses operacioni i koduar “Pagri 2017”.

Si rezultat i këtij operacioni rezultoi se në njërën nga tre depot u gjet e ambalazhuar në thasë plasmasi një sasi prej 11650 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Pas konstatimit menjëherë është vënë në dijeni dhe njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet, mbi lëndën narkotike të gjetur.

Në këtë kuadër u kryen një sërë veprimesh proceduriale dhe hetimore, si kqyrja e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimi i lëndës narkontike të konstatuar, verifikimi i poseduesve dhe gjithë veprimeve të tjera të kundraligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera në vendngjarje u bë ndalimi i shtetasve:
• Rustem Muçelli, 51 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet
• Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit:
• Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në fshatin Pagri – Përmet.

Ndalimi i këtyre shtetasve si dhe shpallja në kërkim e shtetasit tjetër u bë për arsye se ata, nga provat e grumbulluara rezulton se i kishin në përdorim depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre.

Gjithashtu në vijim të veprimeve është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasi:
• Koço Zaimaj, 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri.

Ndalimi këtij shtetasi u bë pasi ky shtetas është me detyrë kryetar i fshatit Pagri dhe nuk ka kryer detyrat funksionale në lidhje me ngjarjen e mësipërme.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë dërguar në Prokurori për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Në ngarkim të shtetasit Koço Zaimaj, për veprat penale “Shpërdorimi i Detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit” të parashikuara nga neni 248 dhe 300 i Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: