Një ditë pas aksidentit të rëndë që ndodhi dje në Këlcyrë, ku humbën jetën 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta dhe një i ri nga Shkodra, dy persona janë vënë në pranga.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Brikena Metaj. Mësohet se tre prej viktimave janë identifikuar si shtetas pakistanezë, ndërsa po punohet për identifikimin dhe të 4 emigrantëve të tjerë.

Kujtojmë se të gjithë personat që ishin në makinë ishin meshkuj, ndërsa mjeti drejtohej nga Edison Bregaj. Makina humbi kontrollin pasi ishte në ndjekje nga policia, ndërsa ‘Benz’-i përfundoi në shtratin e lumit Vjosë.

NJOFTIMI I POLICISE
DVP Gjirokastër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 emigrantë nga Pakistani). Identifikohen 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit për transportimin drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, të 7 emigrantëve të cilët synonin kalimin e paligjshëm të kufirit. Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale).

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas, si dhe bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të një hetimi proaktiv për zbardhjen e linjës së trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve, është dokumentuar se 7 shtetasit nga Vendet e Treta që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i këtij automjeti, nga kufiri grek drejt kufirit të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Nga këto veprime, të kryera nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me strukturat e DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., po bashkëpunonte me 3 shtetas të tjerë, për transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të moshave 28-32 vjeç, 3 prej të cilëve janë identifikuar.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u identifikuan 3 shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale:

A. Gj., 24 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u vunë në pranga në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër;

S. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.

Vijon puna edhe për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: