TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona gjatë 24 orëve e fundit, ndërsa akuzohen për vepra të ndryshme penale. Strukturat e policisë bëjnë më dije se dy prej katër të arrestuarve mbanin me vete lëndë narkotike të llojit kanabis, kurse dy të tjerët janë prangosur për veprat penaLE të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe për dhunë në familje.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë vënë në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. -Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shigjetat” u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit E. Th., 20 vjeç dhe K. K., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike të ushtruara ndaj këtyre shtetasve nga Policia, përkatësisht në rrugën “Bill Klinton” dhe “Panorama”, në vendin e quajtur “Liqeni i Thatë”, i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike (kanabis).

-Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” shtetasi A. N., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bar kafen që administronte ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar njësi kompjuterike, e cila shërbente për këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “ Dhuna në familje”, shtetasi E. B., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Zydi Herri” ka ushtruar dhunë fizike ndaj 2 shtetasve, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: