TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj ka dalë mëngjesin e sotëm në një konferencë për mediat për të prezantuar platformën e tij të bashkimit të PD. Alibeaj tha se që prej fillimit ka bërë thirrje dhe akte për bashkim. Alibeaj deklaroi se ka ardhur koha që çdo deputet të shohë përtej interesit të vetë, përtej interesit të ngushtë për bashkimin e demokratëve

Sipas Alibeajt, hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale si dhe rikthimin e të përjashtuarve ne parti si dje anulimi i zgjedhjeve te njëanshme në bazë.

“Me përgjegjësi të lartë ndaj Partisë Demokratike, ndaj demokratëve, me qëllimin e vetëm të bashkimit të partisë, në përballjen me regjimin e Edi Ramës, por edhe për të siguruar një premisë reale për fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të jetë e pamundur nëse ne jemi të përcarë, 36 deputetë të grupit parlamentar të PD i kërkuan Kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha që të bëjë një hap pas, me qëllim që ti hapte rrugë bashkimit të Partisë.
 Z. Basha iu përgjigj pozitivisht kësaj thirrje, duke krijuar në këtë mënyrë një premisë të re dhe të arsyeshme, që demokratët të ndalnin menjëherë rrugën e përcarjes dhe të gjenin rrugën e bashkimit”, tha Alibeaj.
 
Sipas tij, disa prej kolegëve të njëjtën thirrje dashamirëse, dhe me qëllimin e vetëm për të bashkuar partinë, ia drejtuan edhe Z. Berisha. “Deri më tani një thirrje e tillë nuk ka gjetur mirëkuptimin e z. Berisha. Mirëpo, kjo nuk pengon Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike që të eksplorojë cdo mundësi, cdo hapësirë, për të shmangur përçarjen e partisë. Kushdo e ka në ndërgjegjen e tij, nëse vendos në interes të parë, Partinë Demokratike, demokratët, apo veten e tij, karrigen e tij. Veprimet e secilit prej nesh do ti gjykojë koha, por edhe demokratët.
Në cilësinë time si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që në fillim kam bërë thirrje për bashkim, kam bërë akte konkrete për bashkim. Duke quajtur si pikënisje për bashkim, më së pari bashkimin e pjesëve të ndara të grupit Parlamentar. Kam kërkuar dakordësinë e kolegëve të grupit Parlamentar, që në mbledhjet e grupit të ftoja edhe kolegët deputetë që ishin pezulluar apo përjashtuar nga grupi me vendimet e 12 Janarit. Falënderoj secilin prej kolegëve për gatishmërinë e shprehur menjëherë që kjo të ndodhte. Për këtë shkak kam ftuar në mbledhjet e grupit Parlamentar të gjithë kolegët që ishin përjashtuar apo pezulluar në 12 Janar, dhe tashmë është një fakt që cdo mbledhje e grupit është bërë edhe me prezencën e tyre. Dua të falënderoj edhe secilin prej tyre që ju përgjigj pozitivisht ftesës tonë për të marrë pjesë në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD dhe që gjatë mbledhjeve që janë zhvilluar kanë luajtur një rol konstruktiv”, deklaroi Alibeaj.
 
Ai theksoi se pas këtij hapi, aktet e bashkimit duhet të jenë konkrete, dhe mbi të gjitha duhet të tregojnë që Partia Demokratike, nuk ka të tepërt asnjë anëtar të saj.
“Në çdo proces, në çdo strukturë, është e domosdoshme që të vlerësohet dhe ruhet kontributi dhe meritokracia e kujtdo në PD. Aktet e njëanshme, rruga e njëanshme, proceset e njëanshme dhe përjashtuese për mijëra dhe mijëra demokratë, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike dhe për rrjedhojë as interesit të demokratëve.
 Pas një jave diskutimesh mes kolegëve të grupit parlamentar, diskutimeve në mbledhjen e fundit të grupit, marrjes së shqetësimeve të tyre, si dhe mundësisë që secili koleg të bëjë propozime me shkrim, është konkluduar në një qëndrim që përbën një platformë parimesh për bashkimin e demokratëve, e propozuar deri më tani nga shumica dërrmuese e deputetëve të Grupit Parlamentar”, tha Alibeaj.

Pikat e platformës
1. Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga çdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
  
2. Çdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, në funksion të frymës së bashkimit dhe gjithëpërfshirjes, duhet të anullohen dhe të shtyhen në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
 
3. Grupi Parlamentar duhet të ngrejë një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e proceseve të zgjedhjeve dhe organizimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar. Vendimet e grupit të punës merren me konsensus.
 
4. Grupi i Punës i ngritur nga GPPD të përcaktojë strukturat zbatuese të këtij plani bashkimi. Në nivel dege procesi realizohet nga grupe pune të përbashkëta të ngritura dhe monitoruara nga GPPD, që funksionojnë me analogji me Grupin e Punës sipas pikës 3. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:
 
Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Duhet të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.
 
Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, çështja zgjidhet nga GPPD.
 
5. Grupi Parlamentar duhet të ngrejë grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
 
Aplikimi i parimeve të mësipërme në vlerësimin e të gjithë ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
 
Gjej rastin të apeloj çdo koleg tjetër deputet që të mbështesë këtë qëndrim, në emër të demokratëve të sakrificave, në emër të bashkimit të Partisë Demokratike, në emër të interesit të demokratëve.
 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb