Katër alpinistë shqiptarë të cilët po eksploronin Valbonën, kanë mbetur të bllokuar këtë pasdite, për shkak të terrenit të thepisur të zonës.

Policia e Tropojës ka bërë me dije se falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë dhe ndërhyrjes nga ana e shërbimeve me helikopter, është bërë e mundur lokalizimi dhe nxjerrja e 4 shtetasve.

Aktualisht, 2 të dëmtuarit po transportohen me helikopter, drejt Spitalit të Traumës, Tiranë, ndërsa 2 shtetasit e tjerë, që po u vinin në ndihmë të dëmtuarve, ndodhen të akomoduar dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga ana tjetër ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

“Ekuipazhi i helikopterit EC 135, i Forcës Ajrore bënë të mundur evakuimin e alpinistëve të lënduar në 2328 metra lartësi në majën e Zhaporres, në zonën e Valbonës. Në kohë rekord të dy alpinistët e bllokuar në një zonë të thepisur u dërguan për ndihmë në spitalin e Traumës. Mirënjohje pilotëve të Forcës Ajrore. Të angazhuar për një turizëm të sigurt në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb