Teksa në burgun 313 u vendos ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, i cili u arrestua në lidhje me abuzimet që dolën në dritë për inceneratorin e Fierit, autoritetet kanë vendosur që të transferojnë nga ky institucion i vuajtjes së dënimit, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Koka qëndroi për disa kohë në këtë burg, por për arsye shëndetësore më pas u transferua në spitalin e burgut.

Duket se pas mbërritjes së ish-varësit të tij, në këtë burg, është menduar që për arsye sigurie dhe hetimore, ish-ministri është transferuar në paraburgimin e Durrësit. Po ashtu Lala pohoi se nesër ish-ministri do të merret në pyetje nga prokurorët e SPAK.

Mes të tjerash është caktuar që Koka të paraqitet në SPAK në orën 10:00, ku do të dëshmojë për akuzat e ngritura për lidhjet me inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Kjo është hera e parë që ish-ministri merret në pyetje pas arrestimit të tij, pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kujtojmë se në kohën kur Koka ishte ministër, Bllako mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ndërsa ndaj ish-zyrtarëve rëndon e njëjta akuzë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb