Me një dokument në dorë, duke e mbajtur lart ambasadorja amerikane Yuri Kim iu tha shqiptarëve mbrëmjen e sotme se ka marrëveshje për reformën zgjedhore duke iu drejtuar për një përgjigje kreut të PD.

Menjëherë pas largimit nga rezidenca e ambasadës së SHBA të Oerd Bylykbashit dhe Rudina Hajdarit, Kim ka dalë së bashku me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe ambasadorin britanik Duncan Norman ku falënderoi të gjitha palët. Ajo tha se të gjithë dhanë që të fitojë populli dhe Shqipëria, duke i njohur merita të veçanta maxhorancës.

“Faleminderit që keni pritur me ne gjithë këtë ditë. Kemi pasur një ditë të gjatë. Dje jemi takuar për 9 orë dhe kemi bërë progres të mirë, jemi takuar sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm. Në një negociatë që është kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, çdo palë, çdo parti i kërkohet që të japë që Shqipëria të fitojë. Në fakt çdo palë dha, gjithashtu çdo palë fitoi. Populli shqiptar mund të fitojë akoma më shumë. Çdo palë dha por më duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet.
Ne i bëmë të qartë se si partinë pushtet ata kanë privilegjet e tyre dhe duhet të jepnim më shumë. Dhe në fakt ata e bënë. Kështu që e përgëzoj partinë në pushtet për atë që kanë bërë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë të mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë në mënyrë të patundur drejt anëtarësimit të saj në BE. Përmban masa të cilat janë adresuar, trajtuar nga ODIHR. Gjithashtu përmban disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar nga ODIHR por gjithashtu do të shiheshin si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë”, deklaroi Kim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb