Personi që shihni në foto është Mihal Thimjo, i shpallur në kërkim nga policia që prej pasdites së djeshme, pasi dyshohet të ketë vrarë shtetasin Gëzim Saraçi, shoferi i një kamionçine që u gjet i pajetë brenda mjetit të tij nga policia. Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga gazetarja Brikena Metaj.

Autori është kapur në automjetin e tij në rrugën nacionale pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”, referuar burimeve policore. Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit.

Gëzim Saraçi dhe Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare me njëri – tjetrin madje ditën e djeshme kishin qenë për një drekë në Poliçan të Zagorisë.

Në kthim ka ndodhur një konflikt i çastit që ka shkaktuar grindjen fizike mes tyre. 57-vjeçari Saraçi ka goditur i pari Thimjon, i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë 57-vjeçare. Autori 33-vjeçar është i plagosur në shpatull dhe në këmbë.

NJOFTIMI I POLICISE
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.

Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb