Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme të shumëkërkuarin Admir (Jetmir) Çerpja, i dyshuar si një nga krerët e grupit të akuzuar për dy grabitjet e parave të bankave të ndodhura në rrugën e Rinasit.

Burime nga Policia e Shtetit pohuan për “BalkanWeb” se Çerpja është prangosur nga forcat speciale në zonën e Dibrës ku po kërkohej prej disa ditësh në kuadrin e operacionit “Patriot”, por pa dhënë shumë detaje.

Tashmë në kërkim kanë mbetur edhe kreu tjetër i grupit Admir Murataj (Nikaj) si edhe dy nipat e tij me origjinë nga Tropoja, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë publike.

“BalkanWeb” raporton se Çerpja po transportohet me masa tepër të larta sigurie drejt Tiranës nga një numër i madh forcash policie.

Admir ose Jetmir Çerpja ka jetuar për disa vite në Greqi ku dyshohet se është njohur me Ilir Kupën, shqiptarin e famshëm të arratisur nga burgjet helene. Dibrani ka jetuar për shumë vite në Kamëz ku është njohur me tropojanin Admir Murataj.

Çerpja ka pasur njohje me ish-komandon Neim Avdulaj, me cilin ka rënë në kontakt me anë të një kushëririt te tij që punonte në ushtri, bashkë me riun nga Vlora. Më herët si pjesë e bandës së grabitjes së bankave janë arrestuar edhe Fatjon Xhyliu, ish-komandoja Ditjon Memlika, Neim Avdyli dhe Ernest Kupa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb