Arrestohet në Kosovë një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt. Gjelosh Krasniqi, i dyshuar për vrasjen që ndodhi mbrëmjen e 30 tetorit 2022 te “Kodrën e Diellit” në Tiranë, është arrestuar të martën mbrëma në Pejë.

Po ashtu, është arrestuar edhe personi i cili e kishte ndihmuar që të strehohej në një fshat të Pejës.

Kështu ka bërë të ditur Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Nikçi.

“Po ashtu është arrestuar edhe personi i cili e ka ndihmuar që të strehohet në një fshat të Pejës. I njëjti është ndaluar për 48 orë”, ka shtuar ai.

Vrasja ka ndodhur në orët e vona të natës së 30 tetorit, ku viktima 39-vjeçari Briken Sanaj sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte, ku sapo ishte kthyer nga Lezha.

Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë, vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje.

Një muaj pas ngjarjes policia njoftoi zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorëve, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Për autorin e dyshuar dhe 2 shtetasit e tjerë, bazuar në provat e siguruara nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Prokurorisë së rrethit Tiranë, Gjykata kishte caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë.

“Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në DVP Tiranë dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 30.11.2022, u finalizua operacioni policor “SHADOW”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 30.10.2022, në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”, Tiranë, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Briken Sanaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për shtetasit:
Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi, më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanaj. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, së bashku me armën e krimit”, njoftoi policia më 30 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb