FIER- Arrestohet shefi i stacionit të policisë së Patosit Flamur Veliu. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se arrestimi është kryer mbrëmjen e djeshme në Fier nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Flamur Veliu u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Sipas të dhënave, Veliu përplasi disa mjete të parkuara në hyrje të qytetit të Fierit.

Policia ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale dhe ka referuar materialet në prokurori për rastin në fjalë.

“Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Flamur Veliu, 60 vjeç, banues në Lushnje, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Patos.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në aksin rrugor Fier – Lushnje në vëndin e quajtur “Mulliri i artë” Fier, është përfshirë në një aksident automobilistik me dëme materiale dhe pas verifikmit me aparat alokool-test ka rezultuar se drejtonte mjetin “Fiat Stilo” në gjendje te dehur.

Materialet hetimore lidhur me këtë ngjarje ndaj shtetasit Flamur Veliu, do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt””, thuhet në njoftimin e policisë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb