Komisioni i Ligjeve i hap rrugë zgjedhjes së Bajram Begajt si President i Republikës, duke çuar emrin e tij në Kuvend.

Në nisje të Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tha se nga verifikimet e bëra rezulton se kandidati Bajram Begaj plotëson të gjitha kushtet e parashikuara për t’u zgjedhur President i Republikës.

“Pasi është bërë depozitimi i kësaj kandidature për President të Republikës, shërbimi i Kuvendin dhe stafi kanë kryer të gjitha verifikimet dhe rezulton se kandidatura për zgjedhjen e presidentit, Bajram Begaj, është paraqitur nga 37 deputetë në përmbushje të detyrimeve ligjore, duke u plotësuar ky kusht, si dhe brenda afatit të parashikuar


Sa i takon përmbushjes së kritereve kushtetuese e ligjore të kandidatit, z. Begaj rezulton se i plotëson kërkesat ligjore. Ai plotëson kushtet e parashikuara”, tha Bushka.

Por, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, ka kundërshtuar kandidaturën e tij, duke thënë se PD do të votojë kundër.

Bylykbashi: Thoni çfarë të doni, por unë do them çfarë të dua unë. Është parim kushtetues që duhet të jetë jo vetëm ndarje, por edhe kontroll mbi ushtrinë, fakti që kryeministri e ka kthyer procesin e emërimit të presidentit në një moment
Ky kandidat, deri më sot, ka qenë maja e FA, një papajtueshmëri e pastër me Kushtetutën. Asnjë lloj truku dhe asnjë lloj veprimi nuk mundet të shmangë këtë përplasje me këtë parim themelor, që ushtarakët nuk mund të ushtrojnë funksione, përfshirë Presidentin, sepse është ndalim kushtetues. Është antikushtetueshmëri, e për rrjedhojë kjo e bën me ves këtë kandidaturë dhe procesin e votimit në seancën. Mundet ta kishit bërë krejt ndryshe.

Bushka: Po përsërisni, duhet të flasin dhe kolegët.

Bylykbashi: Mund të flasin kolegët një për një dhe ju duhet t’i respektoni. Po flasim këtu për presidentin dhe nuk mund ta nxjerrim si një fotografi në mur. Është e panevojshme që presidenti të ketë një njollë, kushdo qoftë. Është zgjedhja që ka bërë kryeministri, që ju të turreni e të bëni 37 firma, ende pa e ditur kush do të ishte kandidat. Dekreti i nxjerrë në momentin e fundit nuk e shëndosh këtë situatë antikushtetueshmërie. Ju mund ta vendosni këtë gjë, por parimi që kërkon Kushtetuta është se ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të kandidojnë. Ky zotëria ka qenë deri tani oficeri më i lartë i shërbimit ushtarak. Në emër të PD, ne e votojmë kundër këtë kandidat, sepse po bëni kapjen finale të të gjitha pushteteve, duke bërë çmos që të shmangeshit nga detyrimi kushtetues që të kërkonit konsensus, zgjodhët këtë proces, që ndër të tjera ju fut në këtë antikushtetueshmëri. Për këtë, ne japim votën kundër.

Bushka: Retorika politike është zgjedhja juaj. Qëndrimi politik është zgjedhja juaj, e gjykojnë shqiptarët. Ne vlerësojmë kriteret kushtetuese e ligjore. Mund ta kishit kursyer analizën e ndarjes së pushteteve, sepse me dekret të Presidentit të Republikës, kandidati për President, z. Bajram Begaj, propozuar nga 37 deputetë të PS, është liruar nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Në këto kushte ky dekret ka hyrë në fuqi menjëherë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb