TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim basha ka dalë sot para mediave për të denoncuar kërcënimet dhe intimidimet ndaj dëshmitarit X të audio-përgjimit ku implikohet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe gazetarit.

Basha deklaroi se njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe Fushë-Krujës i kanë ofruar një të afërmi të Albert Veliut 200 mijë euro që ai të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra publike.

Basha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
“Jam sonte në këtë orë të vonë të mbrëmjes para jush për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt të cilët po përdorin shtetin e kapur prej krimit dhe kanë hedhur në veprim strukturat e krimit të organizuar nën urdhrat e tyre për të kërcënuar shtetasin Albert Veliu, dëshmitarin X dhe familjarët e tij. Sot të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe nga zona e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit X, Albert Veliut 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale që ai të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra publike. Çdo përpjekje e Fatmir Xhafajt dhe Edi Ramës për të kërcënuar, intimiduar apo blerë dëshmitarin X, thjesht i zhyt edhe më thellë Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn në skandalin ku janë futur kokë e këmbë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb