Trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi ka bërë sot deklaratën e fortë për të ardhmen e tij në skuadrën kuqezi. De Biasi ka informuar mediat për vendimin e tij për t’u larguar në fund të kualifikuesve të Botërorit.

“Në fund të kualifikueseve do të largohem. Çdo fillim e ka edhe një fund. Kam një kontratë të cilën po e respektoj. Pas Izraelit shumë donin të bënin gati funeralin tim”, ka thënë ndër të tjera De Biazi.

Tekniku i kuqezinjve ka dalë sot në një konferencë për shtyp pas përfundimit të grumbullimit për ndeshjet me Luksemburgun dhe Izraelin.

I pyetur se çfarë ndryshoi në ndeshjen e fundit, De Biazi tha: “Ndryshoi fakti që kishte më shumë bindje, më shumë vendosmëri. Kishte një qasje të ndryshme nga ndeshja kundër Luksemburgut. Ndaj Italisë kishim bërë një ndeshje të mirë, pastaj nëse mendojmë se jemi në lartësinë e Spanjës dhe Italisë, mendoj se kemi humbur dimensionin dhe kemi gabuar gjithçka, si ambient, si tifozeri, apo si media.”

Për sa i përket të ardhmes dhe rinovimit të kontratës me Shqipërinë, trajneri italian i Kombëtares tha se nëse Federata dëshironte ta mbante, do ta bënte më parë, jo sot dhe se tani është vonë.

“Ka disa situata në jetë në të cilat dikush duhet të ndjejë rrotull besimin dhe konsideratën, të cilën pavarësisht 5 viteve e gjysmë, mendoj se ende nuk e kam nga dikush. Mendoj se nëse Federata dëshironte Xhani De Biazin, do ta bënte më parë, jo sot, se tani është vonë. Por unë prisja diçka ndryshe, nuk funksionon kështu. Ata që janë më të mirë, si Lëv, janë konfirmuar 4 vite më parë, unë nuk prisja të më konfirmonin dy vite para, por prisja një diskutim ndryshe nga federata”, u shpreh De Biazi.

Në lidhje me marrëdhënien e tij me kreun e FSHF-së Armando Dukën, De Biazi foli për një raport të mirë.
“Me presidentin kam një raport të mirë, mendoj se është personi me të cilin jam ndjerë më mirë nga pikëpamja e punës, një person i këndshëm me të cilën mund të kalosh kohën me gëzim. E di që unë kam një aspekt profesional dhe një njerëzor që ecin përkrah. Shpesh pikëpamja njerëzore më ka bërë të bëj disa gabime të tmerrshme që nuk dua t’i ribëj”, u shpreh De Biazi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb