TIRANË- Një ditë më parë policia e Durrësit njoftoi për arrestimin e një 24-vjeçari A. Xh., i denoncuar nga një e re nga Ukraina për dhunë dhe pengmarrje.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se 21-vjeçarja V. Ko. u paraqit në spital më 30 tetor me hematoma në fytyrë. Pas kësaj mjekët panë hematomat në fytyrë dhe njoftuan policinë, e cila mori dëshminë e ukrainases dhe arrestoi të riun nga Durrësi.

Sot e reja ka lënë Shqipërinë për t’u kthyer në Ukrainë. Në mëngjes e shoqëruar nga policia e Durrësit, ajo ka lënë spitalin edhe është drejtuar në aeroportin “Nënë Tereza”, bashkë me një biletë. Nuk dihet se kush ia ka prerë biletën 21-vjeçares. Nga ana tjetër, Prokuroria dje e quajti arrestimin e A. Xh. të paligjshëm. Ndërsa policia e arrestoi në mëngjes, prokuroria e liroi në darkë 24- vjeçarin  pa vendim gjykate.

DËSHMIA
V. Ko. ka rrëfyer për policinë se me djalin ishte njohur në Mal të Zi kur kishin qenë me pushime gjatë verës dhe kishin mbajtur kontaktet deri sa ai e kishte ftuar të vinte në Durrës. Më pas ai i kishte premtuar një lidhje të qendrueshme dhe për këtë arsye ajo kishte ardhur në Shqipëri.

“Para disa muajsh u njoha me të në Malin e Zi, ku ishim për pushime. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe adresat tona dhe filluam të flisnim me njeri-tjetrin në Facebook dhe whatsapp. Sa vinte dhe bëheshim më të lidhur me njeri-tjetrin. Më pas ai më ftoi në Shqipëri si të dashurën e tij duke më kërkuar të njiheshim më shumë. Meqenëse unë nuk dyshoja tek ai për asgjë të keqe, erdha në Shqipëri. Kam ardhur disa herë. Si fillim u tregua i dashur, i mirë dhe më pas nisën episodet e dhunës. Dje më çoi në hotel dhe më dhunoi. Më ka rrahur në mënyrë brutale. Më kërcënonte se do më vriste. ‘Do të vras dhe këtu s’të gjen njeri’ më thoshte. Nuk e di pse më kërkonte të rrija në Durrës. Nuk e di çfarë qëllimi kishte”, ka dëshmuar e reja nga Ukraina.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: