Reme Lala, deputetja e PDIU-së në qarkun e Dibrës, sqaron ekskluzivisht për “BalkanWeb” se nuk do të kalojë me Partinë Socialiste por se do të jetë në Kuvend si përfaqësuese e PDIU-së.

“Mandati im është dhe mbetet i dibranëve. Kam garuar nën siglën e PDIU-së dhe do jem deputete e kësaj force politike. Me kryeministrin Edi Rama do të bashkëpunoj për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, që ua premtova banorëve të Dibrës gjatë fushatës elektorale, sepse unë do bëj çmos t’i bëj premtimet realitet”, – deklaron deputetja e PDIU-së.

Lala sqaron për “BalkanWeb”, se me deklaratën e së hënës kishte qëllim t’u garantonte dibranëve, se do të kërkonte ndihmën e qeverisë, për të kthyer sytë drejt tyre dhe jo se mandati i saj, do t’i bashkohej Partisë Socialiste.

“Gjatë fushatës kam premtuar bashkëpunim me qeverinë, kushdo qoftë në pushtet, për ndërtimin e Rrugës së Arbit, e cila është jetike për banorët e Dibrës. Duke parë vullnetin e shqiptarëve, nga Dibra, u dhashë mesazhin banorëve, se do të bashkëpunoj me qeverinë, për të përmbushur premtimet që iu dhashë. Rruga e Arbrit nuk mund të ndërtohet nga shoqata, por vetëm me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit”, thotë Lala për “BalkanWeb”.

Deputetja Lala shprehet më tej se do ta ngrejë zërin e saj në parlament, për qytetarët dibranë që e votëbesuan për t’i përfaqësuar.

Një ditë më parë kur edhe u bë publik fakti se e kishte marrë mandatin në Dibër, Lala foli para mbështetësve të saj duke deklaruar se “unë nuk kam asnjë parti, partia ime jeni ju. Për qytetarët e mi do t’i bashkëngjitem vullnetit të shqiptarëve për t’i dhënë timonin shqiptarëve. Bashkë me Edi Ramën do ta bëjmë rrugën e Arbrit, nëse kjo nuk ndodh do të djeg mandatin”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb