Një person është marrë peng paraditen e sotme në Kamëz. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se disa persona pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, pasi e kanë dhunuar, kanë futur një prej tyre me forcë në makinë.

Ngjarja mësohet të jetë ndodhur në rrugën ‘London’. Kanë qenë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të kësaj skenë, ndërsa pohuan se kanë parë dy persona të maskuar teksa fusnin forcërisht në makinë një burrë që ecte në këmbë. Fill pas ngjarjes, autorët janë larguar me makinën, në të cilën ndodhet dhe personi, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

Bezat raporton se policia është njoftuar për ngjarjen, ndërsa pas verifikimeve dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe familjarëve të personit, rezultoi se ky i fundit është marrë peng pas një konflikti me disa persona për një makinë dhe dyshohet se pengmarrja është vijim i atij sherri (Konflikti ka ndodhur sot).

Aktualisht policia ka ngritur postblloqe dhe po vijon punën për lokalizimin dhe gjetjen e autorëve si dhe lirimi e personit që është marrë peng.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: