VELIPOJË
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbledhur sot këshillin Koordinues për Rajonin e Veriut në Velipojë. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili njëherësh është edhe koordinator politik i PS për qarkun Lezhës, kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, Senida Mesi dhe deputetët Paulin Sterkaj, Luan Harusha dhe Tom Doshi.
Kjo mbledhje, e cila zgjati afro dy orë, vjen pas situatës së krijuar në bashkinë e Shkodrës, ku kandidati i PS-së i zgjedhur në krye të bashkisë me 30 qershor, Valdrin Pjetri u denoncua nga PD-ja dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi i dënuar në Itali. Ky fakt detyroi Pjetrin të largohet nga posti që ishte zgjedhur , duke krijuar kështu një situatë të vështirë politike në qarkun më të madh të Veriut.
Gazetari i “BalkanWeb”, Senad Nikshiqi raportoi nga Velipoja duke thënë se takimi i Ramës me koordinatorët ka dalë me disa përfundime, mes të cilave bie në sy vendosmëria e tij për shkarkimin e drejtorëve rajonalë në të gjithë qarkun. Burime theksuan se pritet të shkarkohen 80 % e drejtorëve.
“80% e drejtoreve do ikin për gjitha bashkitë e qarkut Shkodër. Është kërkuar vlerësimi i performancës së institucioneve me varësi nga qendra”-theksuan burimet brenda mbledhjes.
Temë tjetër që është diskutuar në mbledhja ka qenë ajo e analizës së buxheteve të bashkive, borxhet dhe projektet aktuale, të cilat janë kërkuar prej shefit të qeverisë që të “skanohen” në detaje për ecurinë e tyre në terren.