TIRANË

Sikurse kishin lajmëruar në fund të dhjetorit, kur Gjykata Kushtetuese u bë funksionale, 7 anëtarët e saj u mblodhën këtë të enjte dhe diskutuan dy cështje të rëndësishme; ndarjen e çështjeve dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit. Disa orë më vonë, anëtarët lajmëruan se në përfundim të mbledhjes, vendosën të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të gjykatës. Derisa kjo të ndodhë, ata ngarkojnë zonjën Vitore Tusha të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të kryetarit, përderisa është anëtarja më e vjetër në detyrë e Kushtetueses. Anëtarët vendosën gjithashtu të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre.

Çështja më e rëndësishme që pret shqyrtimin është ajo që lidhet me zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Shoqata e bashkive kërkon shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve lokale, të cilat u zhvilluan pra pjesëmarrjen e opozitës dhe shkaktuan përplasje të forta në politikë.

Para zgjedhjeve opozita zhvilloi një sërë protestash dhe pak ditë para datës së votimeve, presidenti anuloi dekretin e zgjedhjeve, por mazhoranca nuk e njohu atë.

Fakti që zgjedhjet u mbajtën pavarësisht se kishte një dekret për anulimin e tyre, shoqata e Bashkive pretendon se janë antikushtetuese. Pikërisht kjo cështjet pritet të jetë testi i parë për shtatë gjyqtarët kushtetues.

Këta të fundit, pritet të shqyrtojnë në javët në vijim, edhe dy padi për Teatrin Kombëtar. E para lidhet me projektit të teatrit të ri, ndërsa përmes padisë së dtë në të dytën, kundërshtohet vendimi I qeverisë i 8 majit 2020 që i kaloi pronësinë e Teatrit Bashkisë së Tiranës dhe që pasoi me vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e godinës.

Gjykata Kushtetuese pritet të vihet në provë edhe lidhur me një padi të kryeministrit ndaj Ilir Metës, për mosdekretimin nga ana e këtij të fundit, e Gent Cakës si ministër i Jashtëm. Ndërsa jo më pak e rëndësishme edhe padia për Kodin Zgjedhor ku partitë e opozitës në parlament kërkojnë shfuqizimin e disa neneve që pengojnë hapjen e listave.

Që këto çështje të konsiderohen të pranuara duhet të votohen nga të paktën 5 anëtarë, në të kundërt paditë rrezohen.

  • foto galeri

Njoftimi për mediat i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë:

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të datës 7 janar 2021 vendosën si më poshtë vijon:

  1. Të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative në funksion të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d të ligjit nr.8557/2000 (i ndryshuar);
  2. Të ngarkojnë znj. Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit;
  3. Të caktojnë përbërjen e 3 kolegjeve për vitin kalendarik 2021, në bazë të nenit 13, shkronja e) të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar;
  4. Të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb