Më në fund Gjykata Kushtetuese është funksionale. Anëtari i gjashtë i saj, Përparim Kalo u betua para Presidentit të Republikës. Me nisjen e tij nga puna, institucioni që thuajse kyçi dyert për afro tri vite, mund të nisë me shqyrtimin e cështjeve të rëndësishme.

Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të vijojë edhe këto ditë të fundit të 2020 me procedurën për pikëzimin e kandidatëve për një tjetër vend vacant të shpallur nga Presidenti i Republikës. Në garë, është e vetme Sonila Bejtja, të cilën Këshilli do ta thërrasë për intervistim dhe emrin e saj pritet t’ja kalojë presidentit.

Në garë për të njëjtën vakancë ishte edhe Profesoresha e Juridikut Zhaklina Peto, por Këshilli vendosi ta përfundojë procedurën për të, për shkak të dorëheqjes së saj.

Por Peto thotë se nuk është dorëhequr se do t’i drejtohet gjykatës me një padi kundër KED, pasi vendimi i këtij institucioni është haptazi i palogjikshëm.

“Pasi u njoha me relacionin e Këshillit, konstatova se në të kishte falsifikime. Iu kërkova anëtarëve të KED të mos shkonin në paligjshmëri. Në të kundërt të merrnin në konsideratë dorëheqjen time”, tha Peto.

Ish kandidatja shprehet se Këshilli i kërkoi email me mendim, nëse ishtë tërhequr nga gara, por ajo nuk shprehu vullnet. Kjo e bën sipas saj vendimin e KED të paligjshëm dhe në gjykatë do të kërkojë shpalljen e pavlefshëm të tij. Nga ana tjetër, Këshilli tha se lëvizjet e zonjës Peto nuk e pengojnë vijimin e procedurës, për shkak se unanimisht anëtarët janë të mendimit se ajo u tërhoq nga gara e për shkak ndërprenë procedurën.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, z.Përparim Kalo betohet para Presidentit të Republikës

24 dhjetor 2020

Në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua sot ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T Z. Ilir Meta të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, z. Përparim Kalo.

Gjyqtari Kalo, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të tij nga Kreu i Shtetit, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua para Presidentit Meta se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Presidenti Meta i uroi suksese dhe punë të mbarë gjyqtarit Përparim Kalo në detyrën e tij tepër të rëndësishme e me përgjegjësi të lartë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Sh.T.Z Gramoz Ruçi, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca, drejtuesja e misionit OPDAT të Ambasadës së SHBA në Tiranë, znj.Michelle Lakomy, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb