TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dënuar sot me 7 vite e 6 muaj burg, ish-deputetin dhe ish-kreun e PKD-së, Mark Frrokun për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm.
Ndërkaq Gjykata e ka shpallur Mark Frrokun të pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë.
Pas seancës, avokati i tij mbrojtës deklaroi se ishte i pritshëm ky vendim i gjykatës pasi nuk kishte prova. “E kishim thënë nuk kishte prova për vrasjen”, deklaroi avokati mbrojtës.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se ditën e djeshme Frroku në një seancë gjyqësore maratonë u shpreh se nuk kishte fshehur asnjë qindarkë leku, ndërsa gjykata pohoi se ai kishte fshehur 1.2 milion dollarë.
Fill pas mbylljes së seancës gjyqësore, avokatët e Frrokut u shprehën se gjykata nuk ka vepruar drejt për kryerjen e aktit të ekspertimit.
“Ne i kemi paraqitur të gjitha provat në Shkallë të Parë dhe mendojmë se në Apel do ta zhbëjmë këtë pjesë të vendimit. Gjykata nuk ka vepruar drejtë për kryerjen e aktit të ekspertimit”, thanë Meçe dhe Prendi.
Teksa u pyetën në lidhje me faktin se a e cilësojnë ata fitore heqjen e akuzave që rëndonin ndaj Frrokut për vrasjen e në Belgjikë, avokatët u shprehën se gjithçka ishte ndërtuar mbi thashetheme.
“Padiskutim që po. Ishte ndërtuar akuzë mbi thashetheme”, theksuan ata.
Vendimi për pafajësinë e tij pason atë të pafajësisë së Kristian Marinajt i dyshuar si bashkëpunëtor i ish-deputetit Frroku.
“Unë e ndiej vetën të pafajshëm. Jam mbajtur padrejtësisht në burg për dy vjet. Dua vetëm të shkoj te familja ime. Kam besim te ju dhe drejtësia”. Këto ishin fjalët e fundit të ish-deputetit Mark Frroku, thënë në Gjykatë dje para se trupi gjykues i gjykimit të tij të tërhiqej në dhomën e këshillimit për vendimin përfundimtar.
Përmes një materiali voluminoz, avokatët Vladimir Meçi dhe Tonin Prendi kërkuan pafajësinë e klientit të tyre, duke pretenduar se ai nuk ka konsumuar asnjë nga veprat penale për të cilat akuzohet. Në përfundim të avokatëve, ish-deputeti përsëriti edhe një herë faktin se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)