Policia po ndërmerr një aksion ‘blic’ në portin e Durrësit për lëndë narkotike dhe armë.


Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në port kanë zbarkuar forca të shumta policie, të cilat po kryejnë kontrolle të imtësishme në automjete dhe në kontejner. Aktualisht porti është i rrethuar nga forcat e Posaçme Operacionale, policia kufitare dhe Drejtoria Vendore Durrës.


Policia kriminale ka informacion se në port mund të ketë lëndë nakotike, armë edhe kontrabande.


Pritet që të tjera detaje të dalin në dritë. Kujtojmë se më 29 shtator në portin e Durrësit mbërriti një kontejner me banane, që ishte nisur nga Brazili, duke u ndalur më pas në Pire, ku dhe u zbulua kokaina, ndërsa si destinacion kishte Shqipërinë. Policia greke për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e porositësit e drogës, vijoi operacionin në bashkëpunim me palën shqiptare, ndërsa zëvendësoi kokainën me oriz. Nga operacioni në fjalë u arrestuan dy persona, Ardian Bega oficer i sigurisë në Portin e Durrësit dhe punonjësi i një mjeti lundrimi, Altin Myslihaka. Ndërkohë në kërkim është shpallur Gentian Malindi, pronar i një barke lundrimi (Në këtë barkë kishte qenë i punësuar Myslihaka), i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb