TIRANË

I akuzuar si ish-sigurims me pseudonimin “Venusi” kreu i KLP-së Bujar Sheshi merr një tjetër vendim. Mësohet se sot anëtari i KLP-së ka kallëzuar Autoritetin e Dosjeve në Prokurori për “falsifikim të dokumenteve”. Në kallëzimin e tij përmendet emri i Gentiana Sulës me detyrë Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) si dhe çdo anëtari tjeter të këtij instutucioni që ka bashkëpunuar me të.

Ndërsa Autoriteti i Dosjeve e klasifikoi si bashkëpunëtor dhe anëtar, në dokumentat e sigurimit të shtetit, Sheshi thotë se “marrja e këtij vendimi kaq haptazi të padrejtë cënon rëndë integritetin tim moral dhe profesional dhe gjithashtu dëmton rëndë interesat e Shoqërisë Shqiptare, sepse vjen si një presion apo shantazh i hapur mbi punën e anëtarëve të një nga Institucioneve më të Rëndësishme të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në këtë moment historik”.

Autoriteti i Dosjeve deklaroi një ditë më parë se për Bujar Sheshin janë gjetur disa dokumente të tjera, në arkivën që nuk është pranë këtij institucioni. Sipas këtij institucioni, ka fakte kontraktiktore për Bujar Sheshin, dhe ku në disa dokumenta rezulton se është ai është rekrutuar në moshë të mitur.

“Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi)”, thekson Autoriteti I Dosjeve.

Më tej thuhet se: “Për sa i takon deklaratave apo insinuatave të krijuara nga mediat apo përfaqësues të partive politike, deklarojmë me bindje se vonesa në përgjigjen e Autoritetit për Prokurorinë e Përgjithshme, kurrsesi nuk është e lidhur në mënyrë absolute me qëllim zvarritjen e këtij procesi, por ajo ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me argumentet e sipërcituara dhe me nevojën për nivel sa më të lartë ligjshmërie dhe standard transparence”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb