Përfundon seanca për Alqi Bllakon në gjykatën e Posaçme të Apelit. Ish-deputeti i PS do të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e lënë në burg ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit të akuzuar për afera me inceneratorët.

Ish-deputeti Bllako ankimoi në Apel masën e sigurisë., duke kërkuar hetimin i lirë. Ai u akuzua si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Gjatë seancës, avokati i ish deputetit këmbënguli për një masë më të lehtë sigurie pasi Bllako nuk kishte mundësi të ndërhynte tek provat. Por gjykatësja Ilirjana Olldashi e la atë nën masën e arrestit me burg.

Në lidhje me hapat e ardhshme që do të ndërmerren, avokati paralajmëroi që do të ndiqet rruga gjyqësore dhe se do ti drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë. Por kjo gjykatë ka rrëzuar më parë rekursin për ish ministrin Lefter Koka, ndaj ka pak gjasë që ky rekurs të pranohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb