Konfirmohet në detyrë Ervisa Hyka, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala. Ervisa Hyka përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2012 dhe u emërua prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Prej vitit 2015, ajo e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Relatimi për Hykën ishin në pjesën dërrmuese pozitiv. KPK tha se nga hetimi i disa kursimeve cash nuk u gjetën probleme. Po ashtu Komisioni nuk gjeti probleme as me adresat e banimit të Hykës, shtëpi me qira në Tiranë dhe më pas shtëpinë e prindërve në Fier.

As prindërit e prokurores nuk rezultuan me probleme, pasi Komisioni kishte verifikuar pasurinë e tyre. KPK tha se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë po ashtu përgjigje pozitive për Hykën dhe hetimet e KPK në këtë kriter nuk kishin sjellë ndryshime.

Hyka po ashtu u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin. Megjithatë KPK tha se kishte kërkuar shpjegim sëpari për një vendim pushimi që ishte anuluar nga eprori. Hyka në fjalën ë saj tha se ajo kishte qenë e bindur në vendimin e pushimit, por më pas me urdhër të eprorit kishte dërguar çështjen për gjykim. Ajo shpjegoi se Gjykata e Apelit kishte vendosur pafajësi për një nga të pandehurit e akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe kishte pushuar çështjen për tjetrin. Sa i përket denoncimeve Hyka shpjegoi se një prej tyre ishte hetuar dhe arkivuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili nuk kishte gjetur përgjegjësi të magjistrates sa i përket plotësimit të një kërkese të një pale të paditur për njohje me materialet e hetimit. Ankimi kishte të bënte mbi kostot administrative që duheshin paguar në këtë rast, por Hyka tha se ato ishin përcaktuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

Sa i përket një pretendimi për moskthimin pas të dy dosjeve përmbarimore të sekuestruara për një hetim, Hyka tha se ato ishin kthyer pas pushimit të çështjes, por i tregoi trupës se sekuestrimi ishte kryer me vendim të gjykatave dhe se ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Hyka cilësoi “trillime dashakeqëse” pretendimet e një prej denoncuesve se ajo kishte pasur afrimitet me nënën e një prej të pandehurve, për të cilin kishte kërkuar dënim me tre muaj burg. Hyka tha se ishte zbatuar ligjin dhe se një pjesë e hetimit për këtë çështje vijonte. Prokurorja në fund i kërkoi KPK, konfirmimin në detyrë, ndërsa tha se kishte vetëm “falënderime për punën e trupës”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb