Nga: Klodjana Haxhiaj


KAVAJE-Djali i vetën 4-vjeçar i familjes Xhelo me banim në Golem të Kavajës është mbytur aksidentalisht në pishinën e një vile paraditen e sotme. Ngjarja aksidentale është shënuar rreth orës 10 e 30 minuta ndërsa vogëlushi i shpëtoi vëmendjes së gjyshes së tij Dritës, e cila ishte punësuar në vilë, për përgatitjet për sezonin turistik.


Pronari i vilës kishte thirrur gjyshen e të miturit dhe dy punëtorë të tjerë nga fshati për bërë disa punime dhe rregullime para mbërritjes së pushuesve. Gjyshja e të miturit për pak minuta ka lënë në oborr të vilës nipin, ndërsa është ngjitur në katet e sipërm për të çuar një porosi bën me dije dëshmimtarët okularë.


Sapo ka zbritur ka thirrur në emër nipin Marildon katër vjeçar të cilin e kishte lënë duke luajtur, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ka pyetur dy punëtorët e tjerë dhe njëri prej tyre e ka gjetur në pishinën e vogël të Vilës pasi kishin kërkuar për disa minuta në ambientet e ndryshme.

Idai Zeka një prej punëtorëve ishte i pari që nxori vogëlushin nga pishina dhe i dha ndihmën e parë. Kishte gëlltitur shumë ujë kur e gjetëm ishte pa jetë dhe e nisëm në spitalin e Durrësit tha ai. Në spital gjyshja e të miturit ka pësuar shok psikologjik, ashtu si edhe nëna e tij.

Spitali i Durrësit ka vënë në dispozicion psikologët, ndërsa policia nisi hetimet. Për orë të tëra edhe në mungesë të babait të vogëlushit i cili gjendej me punë në qytetin e Sarandës , nëna dhe gjyshja janë duke marrë trajtim mjekësor në spitalin e Durrësit, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që u goditën. Paraprakisht bëhet me dije se ngjarja tragjike është klasifikuar aksidentale pasi janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë që gjendeshin në vilë.

Ndërkohë policia e Durrësit dhe ajo e Kavajës i kanë bërë apel të gjithë pushuesve që i drejtohen plazhit dhe hoteleve me pishinë të jenë të vëmendshëm me fëmijët, të mos i lënë asnjë herë pa mbikëqyrje, për të shmangur tragjedi të tilla. Edhe në vitet e shkuara tragjedi të tilla të mbytjes së të miturve në pishina kanë ndodhur për shkaqe aksidentale, te të mungesës së vëmendjes për pak minuta nga ana e të rriturve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb