Janë arrestuar sot nga policia e Tiranës por për llogari të SPAK disa punonjës të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.

Referuar burimeve policore mësohet se këta punonjës lëshonin libreza shëndetësore me qëllim punësimin, por në mënyrë abuzive. Po ashtu bëhet me dije se policia ka arrestuar edhe punonjës të Institutit të Higjienës.

Bëhet fjalë për 5 inspektorë të Drejtorisë Rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Tiranë, një punonjës i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, tetë punonjës të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrave Shëndetësorë të ndryshme në Tiranë, si dhe administratorë dhe përfaqësues të subjekteve tregtare të ndryshme.

Mbi ta rëndojnë akuzat: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, më shumë se njëherë e kryer në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të kryer më shumë se një herë dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën “arrest me burg” për dy prej tyre, “arrest shtëpie” për 9 të tjerë, si dhe “pezullim të ushtrimit të detyrës apo funksionit publik” për tre të tjerë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: