Parlamenti ka votuar pro për ngritjen e Komisionit Hetimor për “shkarkimin” e presidentit Meta.

Ngritja e Komisionit u votua me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.

Një ditë më parë u publikuan edhe emrat e deputetëve në Komision, ku si kryetar pritet të jetë deputeti, Alket Hyseni, ndërsa pjesë e tij mësohet se do të jenë edhe deputetë të opozitës parlamentare si: Myslim Murrizi, Halil Jakimi dhe Arlind Çaçani.
Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.

Komisioni i Ligjeve nisi më herët shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Socialistët, siç u shprehën në Komision, janë të mendimit se Kreu i Shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.

Sipas deputetes socialiste Vasilika Hysi, e cila prezantoi nismën para anëtarëve të Komisionit “presidenti i Republikës në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet, madje e ka dëmtuar atë”, -tha Hysi sipas së cilës, presidenti Meta “para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak”.

Komisioni i kishte dërguar një shkresë Kreut të Shtetit ku e njoftonte për mbledhjen. Por në përgjigjen e saj, Presidenca vëren se njoftimi, “nuk jep asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgohet, apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës, qoftë dhe referuar kërkesave proceduriale të detyrueshme për respektim nga ana e Komisionit të Ligjeve sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit thekson se “e gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet”. Duke folur për “përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim”, zoti Meta shprehet se ky institucion “ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht. Kjo përpjekje e rradhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj. Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak – vijon më tej presidenti Meta duke e rënduar dozën e akuzave – është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e rradhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës,dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb