Familjet e dy të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës, janë marrë në mbrojte nga policia. Lajmi është konfirmuar për  BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Dumani dhe Hoxha bashkëpunuan me drejtësinë, duke “zbërthyer” një seri ngjarjesh kriminale e duke nxjerrë në skenë emra të njohur të botës së krimit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi mes të tjerash për BalkanWeb se, duke iu referuar dosjes hetimore, se rezulton se Ervis Martinaj ka porositur vrasjen e Endrit Dokles. Dokle, rezulton i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Ndonëse ai i ka dhënë një shumë prej 100 mijë eurosh Dumanit, ky i fundit nuk ka pranuar që të eliminojë Doklen. Po ashtu, një tjetër detaj tronditës nga bota e krimit, e shkruar në dosjen hetimore tregon se Florenc Çapja ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit.

Po ashtu, Lala duke iu referuar dosjes hetimore të SPAK, thekson se Talo Çela akuzohet se vrau Fatmira Deden, ndërkohë që në kërkim është dhe Festim Çoli. Një tjetër krim që i është kërkuar të kryhet nga Dumani është dhe porosia që ka bërë Suel Cela, i cili i ka kërkuar që të vrasë një biznesmen. Ndërkohë, vrasjen e Emiljano Ramazanit e dyshohet se e ka kryer Skerdi Tasi, ndërsa shofer ditën kur ndodhi ngjarja ishte Henrik Hoxha.

Me sa duket ka qenë pikërisht dëshmia e Nuredin Dumanit ajo që ka zbërthyer botën e nëndheshme të krimit në Shqipëri që solli një megaoperacion për goditjen e 8 grupeve kriminale, 4 në Elbasan, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb