TIRANE– Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, ka depozituar sot në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal për sekretarin e Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca. Sipas ministres teknike, Ndreca ka shkelur kompetencat e funksionit.

Ministrja ka depozituar kallëzimin me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm pranë MAS, “për shkelje të rënda ligjore të kryera jashtë kompetencave të funksionit të tij që cënojnë veprimtarinë e ministrisë gjatë procesit të Maturës Shtetërore 2017, si dhe detyrimeve ligjore të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 473, datë 01.06.2017, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017””.

Gjithashtu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, ka depozituar pranë Departamentit të Administratës Publike, kërkesën zyrtare për lirimin e menjëhershëm të Plarent Ndrecës nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb