Një ngjarje rëndë raportohet të ketë ndodhur sot mbrapa ish-mapos në Kombinat, afër gjimnazit “Myslim Keta”.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se nënë e bijë, Zhaneta Josifi 56-vjeç dhe Anisa Josifi 30 vjeç janë gjetur të pajeta brenda banesës së tyre. Po ashtu raportohet se edhe vajza tjetër e familjes është transportuar në gjendje të rëndë në spital. Ajo quhet Blerta Josifi, 34-vjeç.

Nga të dhënat paraprake dyshohet që nënë e bijë mund të jenë vetëflijuar. Ajo shton se nënë e bijë ishin besimtare të një sekti fetar (Besimtarët e Jehovait) dhe duket se e kanë ndërmarrë aktin e rëndë të vetëflijimit pasi besonin tek ringjallja dhe një jetë më e mirë.

Alarmin për ngjarjen e dha vëllai i Zhaneta Josifit, që s’po komunikonte dot me to.

Fillimisht në banesë kanë hyrë nga dritarja punonjësit e zjarrfikëses, pasi dera e apartamentit ka qenë e mbyllur nga brenda. Ata kanë zbuluar skenën e rëndë. Njëra prej vajzave që besohet se kishte humbur jetën disa ditë më parë por edhe nëna që u gjet e pajetë, kishin shenja të mosushqyerjes.

Vajza tjetër, Blerta u gjet me shenja jete. Ajo është dërguar në gjendje të rëndë në spital. Dyshohet se për t’i dhënë fund jetës, nëna dhe vajzat kanë përdorur lëndë helmuese. Por ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë më tepër dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.

Kujtojmë se brenda banesës, policia ka gjetur disa letra me shënime fetare.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 02.07.2020, shtetasi S.F, ka njoftuar në Komisariatin e Policisë nr 6 se në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, motra e tij nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën e banesës.

Në banesë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikses dhe pasi kanê hapur derën, kanë gjetur pa shenja jete shtetasen ZH.J., 56 vjeçe dhe vajzën e saj A.J., 30 vjeçe, ndersa vajza tjetër B.J, rreth 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shendetësore.

Paraprakisht nga veprimet e para hetimore dyshohet se janë vetëflijuar.

Grupi hetimor i përbërë dhe nga dy ekspertë të mjekësisë ligjore ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb