DURRËS

Një operacion anti-drogë në Durrës, ka çuar në pranga dy persona. Mësohet se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 8 kg kanabis dhe janë arrestuar dy persona.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se të arrestuarit janë shtetasit Romario Xhixha (Urumova) dhe Eduard Saka, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i tretë.

Të tre personat janë nga Fushë-Kruja dhe e kishin fshehur drogën në bagazhin e një makine.

Zyrtarisht policia e Durrësit bën me dije se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e disponuara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u organizua puna dhe finalizua me sukses operacioni i koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

R. U., 25 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe E. S., 31 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në Fushë Krujë, gjatë kontrollit në mjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit R. U., ku ndodheshin dhe shtetasit A. Xh. dhe E. S. (posedues të lëndës narkotike), u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gr. lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën do ta blinte shtetasi R. U.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe po punohet për kapjen e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8 kg e 200 gr lëndë narkotike cannabis sativa dhe mjeti tip “Audi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb