TIRANË- Pak orë pas sekuestrimit të një pajisjeje të veçantë në aeroportin e Rinasit që arrin të zbulojë përgjuesit dhe publikimin e tij në “News24” e “BalkanWeb” ka ardhur edhe reagimi i Prokurorisë.

Burime zyrtare deklarojnë për “BalkanWeb” se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal kryesisht në bazë të informacionit mediatik dhe disa verifikime për veprat penale.

“Për pajisjen e ‘përgjimit të izraelitit’, Prokuroria Tiranë ka regjistruar procedim penal kryesisht në bazë të informacionit mediatik dhe disa verifikimeve për veprat penale ‘përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’ dhe ‘shpërdorim detyre’. Po kryhen veprimet”, pohojnë burime nga Prokuroria e Tiranës.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi më herët për “BalkanWeb” se një skaner që identifikon pajisjet përgjuese në ambiente me disa metra katrorë është sekuestruar mesditën e së enjtes në aeroportin e Rinasit. Burime nga policia thane se aparatura e dyshimtë u gjet gjatë një kontrolli rutinë në bagazhet e një shtetasi izraelit, i cili po largohej nga Shqipëria. Menjëherë pa konstatimit të pajisjes është bërë shoqërimi i izraelitit në komisariatin e Rinasit si edhe sekuestrimi i pajisjes.

Aparatura është bllokuar për momentin dhe policia në bashkëpunim me prokurorinë po kryejnë veprime për të saktësuar rolin që kryen kjo aparaturë në të vërtetë si edhe motivin e vizitës në Shqipëri të izraelitit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb