Teksa ERE kishte marrë vendimin që më 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, duket se kryeministri Edi Rama është tërhequr.

Në një njoftim paraprak Rama ka bërë me dije se do të sqarohej se pse nuk do të zbatohet nga nesër fasha prej 800kWh.

“NJË LAJM POZITIV dhe pse nuk do të hyjë në fuqi në tetor fasha 800KW për konsumatorët familjarë”, shkroi Rama.

VENDIMI I ERE
Enti Rregullator i Energjisë miratoi propozimin e Furnizuesit të Shërbimit Universal për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 KwH për abonentët familjarë. Kështu që nga 1 Tetori abonentët familjarë që shpenzonin mbi 800 kwh do ta paguanin atë me 42 lekë për kwh.

Në analizën e bërë nga kompanitë rezulton se në muajin tetor prekeshin 49 mijë familje nga rritja e çmimit. Vetë kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti tha se me vendimin e ri prekte 5 % e abonentëve familjarë, pjesa tjetër e tyre do të paguanin me çmimin 9.5 lekë për kwh.

Opozita pjesëmarrëse në mbledhje e kundërshtoi këtë vendim. Jorida Tabaku tha se rritja e çmimit të energjisë do të ishte kosto shtesë për familjet.

Në aplikimin që OSHEE përmes furnizuesit të shërbimit universal ka bërë në ERE thuhej se ky ndryshim në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për sasinë e konsumuar nga klientët familjarë mbi 800 kwh në muaj do të rrisë shpenzimet e blerjes së energjisë për periudhën tetor-dhjetor me rreth 1.8 miliardë lekë ose rreth 16 milionë euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: