TIRANE- Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti i pavarur Saimir Tahiri në një konferencë në Kryesinë e Kuvendit heq dorë nga mandati i deputetit.

Ai u shpreh se nuk do të akuzohet më si personi që po pengon integrimin e vendit edhe pse siç tha po merr mbi shpinë të gjithë “palaçot që e kanë përdhunuar këtë vend për 25 vjet”.

I hapur për hetime dhe i gatshëm të presë drejtësinë tek dera e gjykatë, Tahiri tha se ishte që sot qytetar i lirë.
“Kam marrë një vendim, dorëzoj mandatin. Unë nuk do jem deputet por një qytetar i thjeshtë si dy milionë qytetarë në këtë vend. E si qytetar i thjeshtë unë do përballem me prokurorinë, me gjykatën, me drejtësinë, me ligjin siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull dhe sot shesin dëngla. Unë nuk do dorëzohem në asnjë moment. Fuqia ime është e vërteta ime, ndaj unë dua t’i shkoj deri në fund. Është familja ime dhe miqtë e mi që iu kërkoj ndjesë me gjithë forcën time për shqetësimin që kam marrë padrejtësisht”,- u shpreh ai.

Tahiri tha se nuk do dorëzohet deri në fund, duke falënderuar qytetarët që i besuan. Ish-ministri i Brendshëm tha se as drejtësinë e as Europën nuk do na i falë njeri e aq më pak agallarët e politikës.

“Unë sot nuk jam më deputet, do përballem me këto. Jam përballë kujtdo, nuk do përkulem e as do dorëzohem e as kam ndërmend ta bëj. Falënderoj çdo qytetar që ka besuar dhe besojnë tek mua, unë jam Saimir Tahiri dhe s’kam nevojë as për mandat, as për imunitet për tu përballur me drejtësinë dhe palaçot e politikës, sot e sa të kem fuqi. Në një betejë që tashmë se kam vetëm timen. Se as drejtësinë e as Europën nuk do na i falë njeri e aq më pak agallarët e politikës por do e fitojmë me kockat tona.
Ora e të vërtetës sime ndoshta nuk është larg dhe po kështu do ketë për të gjithë një orë që do përballen me të vërtetën e tyre dhe ndoshta do japin llogari”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, çmimi i së vërtetës është më i rëndësishëm se karriera e tij, prandaj ai do vazhdojë të presë për drejtësinë e tij tek dera e gjykatës.

“Të dëgjoj që gjyqin ma bën ajo racë që me politikë ka vjedhur dhe nuk është ndëshkuar nuk e bëj kurrë. Më kanë thënë se më ka mbrojt imuniteti, mazhoranca dhe Edi Rama, sado e kam përsëritur se s’dua të më mbrojë askush dhe asgjë. Më kanë thënë se më kanë shpëtuar nga burgu se qenkam bërë pengesë për integrimin. Nëse ka një gjë që e di si drita e diellit është se që nga dita e parë e angazhimit tim jam përpjekur dhe ia kam dalë të mos fshihem pas parlamentit, nuk marr rrogën kot, as nuk marr tendera. Kam 6 muaj që hesht e dëgjoj akuza e gënjeshtra përtej çdo imagjinate. Them me vete mjerë njerëzit që dëgjojnë këta palaço, e pështyjnë mbi njerëzit çdo ditë. Kam 8 vjet në Parlament, më duket sikur kam 80. E vërteta ka një çmim dhe këtë e dija, siç gënjeshtra ka një çmim më të lirë. Çmimi i lirisë është më i vlefshëm se i karrierës sime. Kur dëgjoj si vajtojnë në emër të popullit, shajnë e kërcënojnë në emër të popullit, se mban kurrizi i popullit, i mban të gjitha hesht, dëgjon. Sa kanë folur e shpifur për mua është më pak se sa ia kanë bërë popullit në 25 vjet”,- u shpreh Tahiri.

Tahiri tha se “sot në parlament rrinë me dhjetëra ministra, ish-ministra, ish-kryemnistra që s’kanë lëvizur gishtin për këtë vedn dhe sot bëjnë engjëllin”.

“Kultivimi i hashashit në 4 vite është më pak se në një vit i Saliut. Edhe kur mbyllëm lojërat e fatit po unë u akuzova, po kryeministri u akuza, po qeveria u akuzua. Në korridoret e errëta të parlamentit u bënë bashkë 10 vetë për të gjetur konsensusin për të bllokuar ligjin e lojërave të fatit.
Mua as më shkon ndër mend t’i falënderoj këta kriminelë që janë sot në parlament, të pahetuar pa gjykuar dhe të padënuar me Lulin e Saliun në ballë. Kanë vrarë njerëz dhe nuk hetohen. Më akuzojnë mua për mbjelljen e hashashit që e kishin aty për 25 vjet. Por akoma më keq se mbjelljen e hashashit, mbollën varfërinë dhe papunësinë e mijëra të rinjve dhe as hetohen dhe as gjykohen dhe as dënohen. Rrinë si engjëj, shesin dhe dëngla dhe bëjnë dhe moral. Sot dalin dhe thonë se unë po pengoj integrimin në Europë. Në qoftë se është e vërtetë me sa pashë në media që ka deputetë palaço edhe jashtë si këtu dhe po ashtu ambasadorë që bëjnë gjykatësin e prokurorin unë nuk e dua Europën.
Këta që kanë qeverisur për 25 vjet nuk kanë lënë cep të pashkallmuar, lek të buxhetit pa vjedhur.
Këta anadollakë që sot qajnë Europën, ta dinin mirë se shqiptarët nuk do hanin integrimin”, tha Tahiri.

Nuk munguan as kritikat ndaj politikës dhe atyre që kanë qeverisur vendin.
“Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Por jam i arsyeshëm për t’i treguar gishtin në fytyrë atyre që për Europën qajnë dhe e përdhunuan këtë vend cep e më cep. Vettingun e votuan si dele me dy ambasadorë që na duartrokisnin në kokë. Tani bëjnë edhe vettingun e policëve që ç’nuk kanë parë. Unë pyes pas drejtësisë pse nuk e filluam nga vetja vettingun, deputetë, ministra, zv. ministra, drejtorë. Unë po hetohem e gjykohem dhe ma merr mendja se kjo është kaluar çdo vettingu dhe mbaj palaçot në kurriz.
Ambasadorët lart e poshtë flasin për kriminelë. Ministri i Brendshëm numëron bandat. Ka më shumë në Europë por askush nuk ia nxin faqen vendit të vet. Do duroj deri sa të dalë e vërteta në dritë”, deklaroi Tahiri.

(m.a/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb