Një javë pasi u mor zyrtarisht i pandehur, Saimir Tahiri zhvilloi përballjen e radhës me institucionin e akuzës. Mëngjesin e së enjtes i shoqëruar nga avokati Maksim Haxhiaj, ish-ministri i Brendshëm mbërriti në gjykatën e Apelit për Krime te Rënda.

Kjo e fundit, shqyrtoi apelin e Prokurorisë kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, që i kufizoi afatin e hetimit dhe urdhëroi t’i jepte zgjidhje çështjes brenda datës 10 mars.

Më 28 shkurt Prokuroria për Krime të rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Pasi u njoh me akuzat Tahiri zgjodhi të komentojë me ironi se pas Aldo Bares ndoshta është i dyti me këtë akuzë. Ndonëse tha se do respektojë drejtësinë, ish-ministri tha se kjo pritej duke e cilësuar proces të turpshëm, politik e të komanduar.

Tahiri nuk pranoi të thoshte se nga komandohet prokuroria në akuzat e ngritura ndaj tij, por tha se politika krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’ështe dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb