Shënohet rasti i parë me Covid-19 në Mat

Nga kjo e shtunë Mati i është shtuar zyrtarisht zonave të prekura nga Covid-19. Ministria e Shëndetësisë në raportimin e të infektuarve në 24 orët e fundit, mes 34 personave të dalë pozitiv nga testet, një ishte në Mat, duke shënuar kështu rastin e parë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rasti në Mat është kontakt i një prej rasteve pozitive të Krujës që lidhet me vatrën në fasoneri.

Ndërkohë, burime pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, thanë se ditën e djeshme janë marrë katër tampon në familjen e vajzës së infektuar në një fshat të Njësisë Administrative Komsi. Nga këta katër tampon vetëm 16 vjeçarja e ardhur nga Kruja ka rezoltuar pozitive, ndërsa tre të tjerët kanë rezultuar negativ.

Gjatë ditës së sotme janë marrë edhe 6 kampion të tjerë për analizë, përgjigja e së cilave do të dalin të dielën. Pas zbulimit të këtij rasti është bërë dezinfektimi i banesës së familjes së të infektuarës. Burimet pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, thanë se rasti është i izoluar ndërsa e infektuara nuk ka shenjat klinike të virusit megjithëse zyrtarisht rezulton e infektuar. Ata u shprehën se është kërkuar izolimi i saj vetëm në një nga dhomat e banesës, ndërsa do të monitorohet vazhdimisht nga mjeku i familjes.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Mat i bën apel qytetarëve që të jenë të qetë, të zbatojnë masat e kërkuara që në fillim të kësaj pandemie, distancimin social, higjenën personale dhe qëndrimin në shtëpi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: