Një sherr për motive pronësie në Korçë ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 60-vjeçari. Gazetarja Lorena Kodra bën me dije se ngjarja ka ndodhur në një lagje në Korçë, në afërsi të shkollës “Demokracia”.

I plagosuri Rustem Beqiri është nisur drejt spitalit, ndërsa autori Niko Prifti ka rënë në pranga. Policia dhe ambulanca ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa priten të tjera detaje në vijim.

Në momentin e ngjarjes, Beqiri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja, vajza dhe mbesa.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me mjet prerës gjatë një konflikti një shtetas tjetër, kapet menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar i plagosjes.

Më datë 14.08.2022, rreth orës 12:15, në lagjen nr. 4, Korçë, shtetasi N. P., rreth 68 vjeç, gjatë një konflikti i cili dyshohet të ketë ndodhur për motive pronësie, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin R. B., 60 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.

Autori i dyshuar i ngjarjes N. P., ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb