TIRANË- Burgjet nuk po gjejnë qetësi. Pas disa largimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që përfunduan edhe me arrestimin e ish-Drejtorit Artur Zoto, “BalkanWeb” mëson se dje një tjetër drejtues i lartë i këtij institucioni është shkarkuar.

Burime zyrtare pohuan për “BalkanWeb” se Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, ka firmosur dje shkarkimin nga detyra të Petrit Koshaj, me detyrë Drejtor i Policisë së Burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Të njëjtat burime theksuan se motivacioni i shkarkimit ka qenë për shkelje të rënda dhe se është përgatitur disa ditë më parë pas disa kontrrolleve të ushtruara, por vetëm dje ministri Vasili ka firmosur.

Koshaj u prezantua më 17 dhjetor 2015 nga Ministri i Drejtësisë i atëhershëm Ylli Manjani dhe Artur Zoto.

“E kam përzgjedhur qëllimisht Petritin për të dhënë edhe njëherë mesazhin, se në administratën e burgjeve nuk kanë punë partitë politike apo deputetët. Do ta përsëris për të disatën herë, derisa të bindet edhe skeptiku më i fundit në këtë vend, që administrata e burgjeve është pjesë e sigurisë kombëtare të këtij vendi. Nuk ka shaka me sigurinë kombëtare”, tha ndër të tjera Manjani gjatë prezantimit ndërsa falenderoi z. Koshaj për pranimin e ftesës për të punuar në sistemin e burgjeve.

Petrit Koshaj ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas, ka studiuar pranë Akademisë Ushtarake, dega Zbulim. Është trajnuar në fushën e policisë, si për luftën kundër terrorizmit në USA dhe në Rumani, për shërbimet e policisë dhe VIP Protection në Izrael dhe Angli etj.
Pas viteve ’90 ka punuar në Ministrinë e Brendshme me detyra të ndryshme dhe si pjesë e Forcave Speciale Renea. Në vitin 1998 ka mbajtur detyra të ndryshme pranë Drejtorisë së Shoqërimit të Personaliteteve, deri edhe drejtimin e këtij institucioni së fundmi. Ai ka një eksperiencë prej më shumë se 25 vitesh në struktura të ndryshme të policisë së shtetit.
Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe disa gjuhë të tjera. Petrit Koshaj është 55 vjeç, ka lindur në Vlorë dhe banon në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb